Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e tronditur nga videoja e palestinezit të plagosur të lidhur në xhipin ushtarak izraelit


Departamenti amerikan i Shtetit tha të hënën se një video e një palestinezi të plagosur të lidhur me një xhip ushtarak nga forcat izraelite ishte “tronditëse” dhe kërkoi një hetim të shpejtë për t’i kërkuar përgjegjësitë.

Në një konferencë për lajme të Departamentit të Shtetit, një gazetar pyeti: “A nuk po i përdor ushtria palestinezët si mburoja njerëzore?”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller u përgjigj: “Unë do të them se e pamë atë video. Ishte tronditëse. Praktika ishte absolutisht e papranueshme. Njerëzit nuk duhet të përdoren kurrë si mburoja njerëzore. IDF duhet të hetojë me shpejtësi atë që ka ndodhur, t’i çojë përgjegjësit para drejtësisë,” tha Miller, duke përdorur një akronim për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Të shtunën, forcat e ushtrisë izraelite lidhën një palestinez të plagosur në kofanon e një xhipi ushtarak gjatë një bastisjeje arrestimi në qytetin e pushtuar të Bregut Perëndimor të Jeninit, tha ushtria izraelite.

Videoja që qarkullon në rrjetet sociale dhe e verifikuar nga Reuters tregon një banor palestinez të Jeninit, Mujahed Azmi, në një xhip ushtarak që kalonte mes dy autoambulancave.

Ushtria izraelite në një deklaratë tha se forcat izraelite u qëlluan dhe shkëmbyen zjarr, duke plagosur një të dyshuar dhe duke e kapur atë.

Ushtarët më pas shkelën protokollin ushtarak, thuhet në deklaratë. Ushtria tha se “sjellja e forcave në videon e incidentit nuk përputhet me vlerat” e ushtrisë izraelite dhe incidenti do hetohet dhe trajtohet. Ushtria tha se burri u transferua te mjekët për trajtim.

“Pashë deklaratën që ata dhanë se veprimet nuk ishin në përputhje me urdhrat që morën ata ushtarë dhe që po hetohet dhe njerëzit e përfshirë do trajtohen në përputhje me rrethanat. Kjo është absolutisht e përshtatshme,” tha Miller.