Vendosni fjalën kyçe....

Socialistët nisin punën e Komisionit parlamentar për Dezinformimin pa PD-në, Mediu dhe Doda të vetmit nga opozita


Afati i vendosur nga mazhoranca për opozitën për plotësimin e vendeve në Komisionin e Posaçëm për Dezinformim ka përfunduar, dhe kryetari Erion Braçe ka njoftuar se puna e komisionit do të nisë pa përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Mbledhja e parë e konstituimit është planifikuar të mbahet të mërkurën në orën 9:00, me praninë e 6 anëtarëve të shumicës dhe 2 përfaqësuesve nga grupet e vogla parlamentare.

Gazment Bardhi ka shprehur qëndrimin e tij të vendosur për të mos marrë pjesë në këtë komision, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për dialog dhe bashkëpunim në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike të vendit. Ndërkohë, Mesila Doda nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj, dhe grupi “Aleanca për Ndryshim” do të përfaqësohet nga Fatmir Mediu.

Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin do të ketë një mandat njëvjeçar dhe synon të identifikojë dhe të luftojë ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike, përfshirë fushatat e dezinformimit në media tradicionale dhe sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, si dhe ndikimin ekonomik të aktorëve publikë që mund të dëmtojnë shoqërinë civile. Krijimi i komisionit erdhi si propozim i socialistëve, të cilët argumentojnë se kjo nismë është në përputhje me praktikat e vendeve perëndimore dhe parlamentit evropian në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Në përfundim të punës së tij njëvjeçare, komisioni do të përgatisë një raport me analizat, gjetjet dhe propozimet për ndryshimet ligjore dhe masat administrative që do të ndihmojnë në përmirësimin e mbrojtjes kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.