Vendosni fjalën kyçe....

Skemë makabre te onkologjiku – Të sëmurët me kancer janë bankomat për mjekët


Me kërkesë të prokurorisë gjykata e Tiranës ka caktuar 7 masa arrest shtepie dhe detyrim paraqitje per mjekë të spitalit onkologjik.

Gjyqtarja Armela Hansantari ka vendosur masat e sigurimit ndaj tetë personave, ndër ta mjekë në Spitalin Onkologjik të QSUT, kirurgë, ish-zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e spitalit dhe farmacistë e punonjës.

Burimet e Prokurorisë thanë se gjatë hetimit akuza bleu citostatike (kimioterapi) për të provuat dyshimet se ilaçet spitalore shiteshin tek spitalet private.

Nga hetimet ka dalë se në krye të skemës ishte administratori i spitalit.

Para se të arrestohen, për mjekët janë kryer “përgjimet telefonike, vëzhgime në terren dhe blerje të simuluara”, ndërkohë që në dosje janë edhe dëshmitë e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”;

Emiljano Lela. (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur” neni 234 i K.Pr.Penale;

Alketa Ymeri (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

Brikena Qirjazi (ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

Driona Kishta (Ish specialist pranë QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale;

Halil Gashi për vepren penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur ne policine gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale; dhe

Florian Marku. për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” neni 237 i K.Pr.Penale

Pjesë e dosjes që zbuloi skemën si ‘rrjepën’ pacientët me tumor në spitalin Onkologjikë kanë qenë dhe përgjimet.

Një prej tyre është ai i datës 30 nëntor 2023 ku kërkohet të ndërhyhet për një operacion për një pacient me kancer të gradës së dytë agresiv që ka nevojë urgjente për Operim.

Silvana: Hë moj Flutura si ke qenë?

Flutura: Vazhdon me përshëndetjet dhe i tregon për një pacient me kancer në gradën e dytë agresiv që ka nevojë urgjente për operim dhe është e lidhur me doktor Elidon Ninin.

Silvana: Me Elidonin nuk të ndihmojë dot nuk kam asnjë lloj kontakti.E vetmja ndihmë që mund të të jap është ta operojë Mondi im tek kirurgjia se i qan, ta bëjmë pa radhë. Tek Onko me këdo doktor tjetër të fusja unë pa rradhë që nesër por me Elidonin nuk flas se është në rang kryeministri e lartë, s’pyet për të tjerë.

Flutura: Po na thanë ka shumë rradhë, po dhe kësaj nga zyra do ja kenë sugjeruar.

Silvana: S’ka radhë fare por e gjitha është skemë për ta dërguar në privat se asnjë punë nuk kanë. I bëjnë të gjitha për t’i sorollatur që ti dërgojnë në privat pacientët se e di unë shumë mirë.

Flutura: Pa të nxjerrë ty po e diskutoj njëherë me ta dhe flasim sërish, thuhet në përgjimet e zbardhura nga Shqiptarja.com.

Dosja e siguruar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, tregon një moment kur dy personat e përfshirë në këtë skemë, punonjës të këtij spitali, që bëjnë planet e pushimeve, madje flasin hapur dhe për shifrat që sigurojnë nga ryshfetet përmes operacioneve, një prej tyre Emiljano Lela, koordinator i Onkologjikut.

Pjesë nga dosja:
-Ku i kap pushimet e tjera tani?
-Këtu e një vit të jemi mirë
-Shih Tajlandën tani
-Po pse jo?
-Hë mo se nuk shkon shumë
1500 euro, 5 operacione, i kap brenda javësh ti, hahahahaha, ca llogarie
-Kirurg më di ti mua? Ku e ke bërë matematikën ti vëlla? Sa bëjnë 5X5?
-HAHAHAHA Llogarita 300 euro operacionin, jo 500
– Po lale po
-Për i javë bëhesh për Maldive ti atëherë

Punonjësit e këtij spitali janë përgjuar duke ‘qarë’ edhe hallet e tyre, nëse kanë arritur të sigurojnë ndonjë kafe dhe njëri prej tyre i thotë që të mos flasë ashtu në telefon.

Nr i telefoni: Hë Tomi punove ndonjë çikë?
Tomorri: Jo mo dobët, shumë zhurmë për asgjë.
NR. i telefonit: Mos fol ashtu në telefon mo

Gazetarja Keti Banushi ka publikuar edhe disa përgjime të tjera në ReportTv. Një dëshmitar, M. Xh. nga Burreli, tregoi se pasi e ëma u diagnostikua me tumor në QSUT, u transferua në klinikën private “Megis” ku iu nënshtrua një operacioni që kushtoi 2700 euro. Emiljano Lela, koordinator në Spitalin Onkologjik të QSUT, e orientoi te doktor Edmond Gashi, i cili e rekomandoi për biopsi në klinikën private për të shmangur vonesat shtetërore. Pas daljes së rezultateve të biopsisë, Emiljano Lela negocioi pagesën për operacionin, duke e ulur nga 3000 euro në 2500 euro.

“E kanë sjellë nënën në Tiranë dhe kanë qënë duke pritur në rradhë tek spitali Onkologjik. Kur ka parë në rradhë nënën, vëllain dhe bashkëshorten e tij Emiljano i ka dëgjuar nga theksi që ishin nga Burreli dhe iu është afruar duke i thënë se nëse donin do ti ndihmonte për ti dërguar tek mjeku dhë në fund të cdo gjëje do të flisnin me Emiljanon. Pasi i ka marrë dhe i ka dërguar tek mjeku Edmond Gashi që nuk di të them nëse është i vetmi ose jo që punon tek onkologjiku, mjeku ka parë vetëm letrat që i kishin sjellë nga Burreli, ka bërë dhe një kontroll sipërfaqsor të nënës dhe ia ka bërë gjëndjen alarmante duke i thënë direkt që duhet të hynte në operim pasi gjëndja e saj ishte shumë keq. Po në atë moment i ka thënë që vizitat do ti bënin në vazhdimësi në Astir tek klinika e tij “Megis”pasi në spital kishte vonesa, kishte rradhë dhe puna gjasme nuk priste.”