Vendosni fjalën kyçe....

Onkologjiku/ Bardhi: Kemi kërkuar interpelancë me Koçiun, s’është rast i veçuar, institucionet kanë pasur dijeni


Gazment Bardhi tha sot se deputetët e PD-së kanë  kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë Koçiu për skandalin te Onkologjiku.

Ai theksoi se ky problem është trajtuar me papërgjegjshmëri dhe institucionet kanë qenë të informuara për atë që po ndodhte.

Bardhi tha gjithashtu se nuk bëhet fjalë për një rast të veçuar po për skemë të nisur nga drejtuesit politikë në shëndetësi.

“Sapo ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PD. Në qendër të diskutimeve skandali i Onkologjikut. Grupi ka miratuar kërkesën për një interpelancë me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme, për t’iu përgjigjur papërgjegjshmërinë që ka udhëhequr ministrin në trajtimin e këtij problemi. Dje ministrja, edhe për shkak të indinjimit të thellë që gjëja ka shkaktuar në popull, shprehu neveri për që që ka ndodhur, por institucionet kanë qenë të informuara në kohë për atë që po ndodhte. Skandali nuk është rast i veçuar, por një skemë e plotë e iniciuar nga drejtuesit politikë në Shëndetësi. Ministri ka pasur në dorë raportet e KLSH, ku nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur denoncime nga opozita dhe gazetarë e ka pasur zero veprime nga MSH. Pasi vepron prokuroria nuk mund të veprosh me fjalinë kemi pushuar mjekët.Kërkesa për interpelancë, është dorëzuar sot. Secili nga ata që janë përfshirë në skemë, pasi ka dhe të tjerë, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Bardhi.

Për skandalin te Onkologjiku janë arestuar mjeku Edmond Gashi, Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri, mjeke pranë Spitalit Onkologjik, Brikena Qirjazi ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT, Driona Kishta, ish-specialiste pranë QSUNT, Halil Gashi  dhe Florian Marku.

Ata akuzohen se nuk u ofronin shërbim pacientëve me kancer dhe i drejtonin në klinikë private. Po kështu ata akuzohen se kanë zvogëluar dozat e kimioterapive destinuar për pacientët për t’i shitur ato në farmaci private.