Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi tha sot se është kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama pas dyshimeve se ka emëruar këshilltar pranë kryeministrisë një ish-agjent të shërbimeve sekrete rumune.
Sipas Bardhit, ish-agjenti sekret rumun ka qenë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës mes Rumanisë, Shqipërisë e Meksikës.
“Tjetër kërkesë interpelancë me Ramën lidhur me skandalin e emërimit të tij të një agjenti apo ish-agjenti të shërbimeve sekrete rumune, që rezulton lidhja mes klaneve të trafiqeve narkotikëve si këshilltar i jashtëm i kryeministrisë. Një agjent i huaj nuk mund të jetë i emëruar si këshilltar i jashtëm i kryeministrit. Ka qenë i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës mes Rumanisë, Shqipërisë dhe Meksikës. Për çfarë e ka këshilluar ish-agjenti Coltea kryeministrin Rama, si lehtësohet trafiku ndërkombëtar i kokainës.” – tha Bardhi.
Ai shtoi më tej se në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së është diskutuar edhe çështjae abuzimit me fondet e BE-së nga Ministria e Bujqësisë duke theksuar se do kërkohet mocion me debat për raportin e OLAF-it për abuzimin me fondet e BE-së.
“E treta, do kërkojmë mocion me debat për raportin e OLAF për abuzimet me fondet e BE. Të miratohet rezoluta për dënimin e skemës së ministrisë së Bujqësisë për vjedhjen e fondeve për bujqit shqiptar. Duhet miratim i mekanizmave mbrojtës. Nuk munden qytetarët të vuajnë pasojat e një sistemi korruptiv.” – theksoi Bardhi.