Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), të drejtuar nga Gazment Bardhi mesditën e kësaj të mërkure, disa deputetë kërkuan që Flutura Açka të zëvendësohet nga posti i Kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit.
Açka, e cila nuk është bashkuar ende me Berishën pavarësisht vendimit të vulës, u akuzua nga disa anëtarë të PD-së se po punon kundër partisë dhe opozitës, duke argumentuar se posti i saj i përket PD-së dhe duhet zëvendësuar.
Megjithatë, Gazment Bardhi nuk pranoi këtë kërkesë, duke argumentuar se mesazhi që duhet të përcillet është ai i bashkimit dhe jo përjashtimit. Bardhi theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit brenda partisë dhe shmangien e veprimeve që mund të përçajnë më tej PD-në.
Për këtë zhvillim ka reaguar edhe deputetja Açka e cila shkruan se nuk është fugë politike dhe se do ikë si politikane insitucionale
“Ferra nga F(t)erra dhe vuajerizmi mediokër opozitar. Unë jam njeri institucional dhe jo fugë politike. Do të iki kur duhet ikur si politikane institucionale. Të paktën nuk justifikoheni dot më që po bashkoni Opozitën. Opozitën e bashkojnë njerëz me zemër, jo Salierët politikë të rritur hijeve, e që vrasin hije.
Sa për opozitën time personale, e kanë parë dhe e vendosin shqiptarët. I sfidoj meraklijtë politikë: hapni listat me Shqipërinë një zonë në votimet 2025! Le të na gjykojnë shqiptarët vetë kë duan ose jo deputetë. Çështja është se skakierën e pritshme politike amorale, vetëm amoralët nuk e shohin”, shkruan Açka.