Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu deklaroi sot se do nisë një hetim administrativ ndaj mjekëve lidhur me skandalin që u zbulua dje në spitalin Onkologjik ku mjekë e zyrtarë nuk u ofronin shërbim pacientëve me kancer dhe i drejtonin në klinikë private.
Po kështu ata akuzohen se kanë zvogëluar dozat e kimioterapive destinuar për pacientët për t’i shitur ato në farmaci private.
Sipas Koçiut, do ketë ndryshime ligjore që do vendosin sanksione më të forta për stafet mjekësore e abuzojnë me qytetarët.
“Po risjell reagimin për spitalin Onkologjik. Dua ta theksoj që korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit publik të një qytetarët. Ne kemi nisur një hetim administrativ krahas hetimit që ka filluar prokuroria. Të ndëshkojë të gjithë ata që kanë kryer proceduar që cenojnë figurën e mjekut dhe infermierit. Hetimi administrativ që ne kemi nisur së bashku do të jetë një hetim që do të diskutojë shumë aspekte të punës në këtë shërbim. Është e patolerueshme që mjeku ta konsiderojë jetën njerëzore si një mall në tregun e shumicës. Do iniciojmë ndryshime ligjore për të bërë amendime në ligjin për urdhrin e mjekut për të vendosur dhe aty sanksione të forta që ndëshkojnë këdo që e trajton jetën njerëzore si mal shumice në tregun e lirë. Duhet të jenë thelbi i punës së çdo profesionisti. Hetimi do të bëjë të mundur edhe një ridemensionim të sistemit të Onkologjikut.” – tha Koçiu.
Për skandalin te Onkologjiku janë arestuar mjeku Edmond Gashi, Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik, Alketa Ymeri, mjeke pranë Spitalit Onkologjik, Brikena Qirjazi ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT, Driona Kishta, ish-specialiste pranë QSUNT, Halil Gashi dhe Florian Marku.