Vendosni fjalën kyçe....

Gjeorgjia surpriza e EURO 2024, fiton ndaj Portugalisë dhe kalon në fazën tjetër, Turqia fiton me Çekinë


Gjeorgjia i ka kaluar grupet në EURO 2024 në pjesëmarrjen e vet të parë në kampionat evropian.

Ata e kanë mposhtur Portugalinë me rezultat 2:0, dhe kanë dalë të tretët në grupin F me katër pikë.

Kvicha Kvaratskhelia realizoi në minutën e dytë, ndërkaq George Mikatuadze shënoi për 2:0 në të 56-tën nga pika e bardhë.

Po në këtë grup, fitorja e Turqisë me Çekinë i jep asaj kualifikimin si e dyta e grupit e renditur me pikë të barabarta me Portugalinë kryesuese të grupit por e disavantazhuar nga golavarazhi.

Çekët në përballjen me Turqinë luftuan deri në fund, por Antonin Baraku ua vështirësoi lojën kur u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 20-të, pasi mori të dytin të verdhë.

Hakan Calhanoglu solli epërsinë për turqit në minutën e 51-të, por çekët prapë nuk u zmbrapsën.

Ata realizuan golin e barazimit në minutën e 66-të të ndeshjes përmes Tomas Soucekut.

Pavarësisht tentimeve për ta gjetur golin e fitores, çeket u ndalën përfundimisht nga goli i Cenk Tosuinit në minutën e katërt të lojës shtesë.