Vendosni fjalën kyçe....

Rama shënjestron SPAK-un: Merruni me prokurorët që nxorën sekretin, jo gazetarin


Në një konferencë për të drejtën e Informimit, kryeministri Edi Rama, foli në lidhje me nxjerrjen e sekretit hetimor. 

Duke u ndalur te rasti i gazetari Elton Qyno, i cili u mor në pyetje nga SPAK  me kërkesë të prokurorit Behar Dibra me pretendimin për nxjerrje të akteve hetimore. Në atë kohë gazetarit i është kërkuar që të tregojë burimin që i jep informacionet. 

Një kërkesë kjo që bie ndesh me parimin bazë të gazetarisë për të publikuar çdo lloj informacioni dhe për të mos zbuluar burimin.

Gjithashtu gazetarit  i është kërkuar në atë kohë  që t’i kontrollohet telefoni dhe nga banesa i janë marrë sende personale.

Sipas Qynos, prokuroria donte të dinte burimin e informacionit, e shtoi se është bindur tashmë se duhet të ndalonte publikimin e materialeve.

“Janë marrë sende personale pa lidhje. Në shtëpinë e një gazetari mund të gjejnë. I kanë marrë të gjitha materialet në shtëpi. Asgjë nuk më kanë thënë. Mu vu në dijeni se kisha dhënë informacione shumë sensitive dhe janë në hetim. Unë u binda dhe vetë që duhet të ndaloja publikimin. Komunikimi im ka qenë shumë normal. Fakti që ata kërkuan telefonat unë këtu këmbëngula. Në tetor na është dhënë një paralajmërim edhe njerëzor dhe ligjor, por nuk na është kërkuar telefoni dhe nuk na janë kontrolluar xhepat dhe as telefonat. Nuk jemi mbajtur mbyllur me çelës. Ai donte burimin.” – deklaronte asokohe gazetari Elton Qyno.

Ndërkohë sot kryeministri Rama u shpreh se nëse një sekret hetimor i tillë iu bie në dorë gazetarëve, duhen hetuar ata që ua dhanë këto informacione, duke ‘shigjetuar’ kështu prokurorët.

“Sekreti hetimor është diçka tjetër. Përfitoj nga rasti të falënderoj Avokaten e Popullit, me një rast të një gazetari i cili u akuzua dhe u keqtrajtua për nxjerrje të sekretit hetimor. Ka ndodhur edhe gjatë pandemisë sw COVID kur prokuroria ju vu mbrapa ca gazetarëve dhe për mua gazetarët nuk nxjerrin sekrete hetimore. Pasi gazetarët nuk i deponojnë sekretet, i disponojnë prokurorët. Kur i bie në dorë sekreti gazetarit, nuk është më detyrimi i tij të ruajë sekretin. Dhe nuk shkon drejt tij hetimi, por drejt atyre që ia dhanë atij. Kjo është elementare. Që në Kanun shkruhet e zeza në të bardhe ‘Lajmësi nuk ka faj’, kush e prodhoi ose kush ja dha që ta çoj diku tjetër, pra te burimi, me atë duhet të merresh. Informacioni, mbi gjithçka që institucionet publike bëjnë dhe mbi gjithçka që ekzistojnë në letër në vulë në firmë, dhe që nuk përfshihet në një hapësirë të ngushtë, është pronë publike që shteti nuk ka as një të drejtë t’ja mohojë qytetarëve”,  u shpreh Rama.

Lidhur me rastin e gazetarit Qyno ka pasur reagime të forta nga rrjetet ndërkombëtare e organnizatat mediatike si SafeJournalists, Organizatat Partnere të Platformës MFRR dhe RSF të cilat kanë dënuar ashpër sjelljen dhe veprimet e SPAK-ut.

Veprimet e SPAK-ut ndikojnë negativisht jo vetëm ndaj lirisë së medias dhe punën e gazetarit po edhe në transparencën dhe shërbimin ndaj publikut.

Gjithashtu edhe përfaqësuesja më lartë e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ka reaguar lidhur me rastin e paprecedentë të ndodhur ndaj gazetarit të “Ora News” Elton Qyno. Ajo deklaronte se konfidencialiteti i burimeve gazetareske është kyç për lirinë e medias dhe duhet të mbrohet rreptësisht nga ligji dhe çdo praktikë tjetër.