Kryeminstri Rama gjeti rastin të solidarizohej sot me gazetarin Elton Qyno, ndërsa SPAK-u ka ushtruar disa kontrrolle dhe e ka mbajtur atë të ndaluar në mënyrë flagrante, pasi dyshonte se Qyno posedon arkivën e plotë të enkriptimeve SKY.
Në këtë arkivë përveç gjykatësve, politikanëve dhe biznesmenëve, dyshohet se mund të jenë të implikuar si përdorues të telefonave SKY dhe vet prokurorë të SPAK-ut.
Reagimi i kryeministrit për gazetarin Qyno është tepër i drejtë dhe kuptimplotë, pasi është ashtu siç edhe kryeministri thotë, që përgjegjësia nuk është e gazetarit dhe lajmsit që publikon informacionin, por është e zyrtarit që ka shkelur ligjin për sekretin hetimor dhe ja ka dhënë dosjen gazetarit.
Por ky qëndrim i kryeministrit ndonëse i drejtë në segmentin SPAK- Qyno, është hipokrit dhe nëse e vendos në kontekstin e asaj që ndodhi tre vite më parë në përplasjen mes Edi Ramës dhe SPAK-ut me median LAPSI.al.
LAPSI.al publikoi në prag zgjedhjesh një lajm me interes të jashtëzakonshëm publik ku bëhej e ditur se strukturat e PS-së të drejtuar nga Rama, në mënyrë antiligjore përdornin të dhënat personale të qytetarëve, përfshirë të dhëna mbi punësimin, kontakte precize telefonike, të dhëna shëndetësore, etj, për t’i përdorur këto në një ekuacion si një avantazh për kontrollin e votës.
SPAK aso kohe në vitin 2021, në një shkelje ekzemplare të ligjit dhe parimeve të së drejtës, jo vetëm që nuk nisi hetimin mbi këtë regjistër të paligjshëm patronazhimi, por përkundrazi, nisi një aksion të paprecedentë shantazhi ndaj redaksisë të LAPSI.al.
Sikur të mos ishte manovra e avokatit Dorian Matlija, i cili shfyrtëzoi një nen emergjence në Gjykatën e Strasburgut, aksioni i SPAK-ut mund të shkonte deri në burgosjen e gazetarëve të LAPSI.al.
Ndërhyrja ekzemplare e Strasburgut ishte e vetmja levë që qetësoi ujrat, por ndërkohë e gjitha sa ndodhi, e zbuloi SPAK-un si një organ represiv totalisht në mbrojtje të kryeministrit dhe kryetarit të partisë së patronazhistëve.
Pikërisht këtij kryeministri që sot me të drejtë kritikon represionin e SPAK-ut ndaj gazetarit Elton Qyno.
Nga ana tjetër, vendimi i Starsburgut nxori zbuluar pjesën dërrmuese të mediave dhe gazetarëve të cilët jo vetëm nuk u solidarizuan me redaksinë e LAPSI.al, por me të njëjtën indiferencë me të cilën trajtuan represionin e SPAK-ut ndaj kolegëve të tyre, ashtu edhe e injoruan vendimin ekzemplar të Strasburgut duke mos e publikuar atë./ Hashtag.al.