Vendosni fjalën kyçe....

Takimet e Brukselit, kërkesat e Kurtit që pamundësuan ballafaqimin me Vuçiçin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel, deklaroi se nuk u realizua një takim trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian, për shkak se qeveria e Kosovës kërkoi zbatimin e Marrëveshjes Bazike të arritur më 27 shkurt të vitit të kaluar dhe aneksit të zbatimit të saj nga 18 marsi 2023.

Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Joseph Borrell, konfirmoi se në Bruksel nuk u mbajt një takim trepalësh. Ai shpjegoi se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, duke theksuar se gjatë takimeve dypalëshe, Kurti kishte paraqitur tre kushte për angazhimin e mëtejshëm të Prishtinës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Këto kushte kanë qenë të njëjtat që Kurti ka konfirmuar më herët.

Kërkesat e Kosovës dhe insistimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë janë shkaqet kryesore që penguan zhvillimin e një takimi trepalësh në Bruksel.

“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohje së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për arsyet e dështimit të takimit bilateral në Bruksel, theksoi se nga takimi i fundit më 14 shtator kanë ndodhur shumë gjëra që kanë ndikuar në proces. Ai përmendi edhe tre garancitë kryesore që ka kërkuar nga ky takim.

Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garanci, për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive që kam theksuar.

E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti.

Ndërsa, Borrell pas takimeve që ka pasur me Kurtin dhe Vuçiçin, tha se Serbia nuk ishte e gatshme në mënyrë të plotë që të pranojë kushtet që kishte vendosur Kurti, duke shtuar se presidenti Vuçiç është gati që të mund të shikojë mundësi, sa i përket letrës të ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes, (në rrugën drejt normalizimit të raporteve), në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.

Si zakonisht, diskutimet ishin të vështira dhe në fund nuk pati takim trepalësh. Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë, Serbia ishte”, tha ai.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, deklaroi se Serbia nuk ishte plotësisht e gatshme për të pranuar kushtet e vendosura nga Kurti.

Borrell theksoi se Vuçiç shprehu gatishmëri për të shqyrtuar mundësitë në lidhje me letrën e ish-kryeministres dhe formalizimin e Marrëveshjes, në përputhje me praktikat e kaluara të dialogut, me qëllim që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes dhe të ecet përpara drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë takimeve të ndara që Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, zhvilluan me Kurtin dhe Vuçiçin, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara. Sipas Borrellit, është e qartë se ekzistojnë divergjenca mes palëve lidhur me mënyrën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura më parë dhe për kushtet e reja të propozuara nga Kosova.

Borrell theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe të angazhimit konstruktiv nga të dyja palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai nënvizoi se BE-ja mbetet e angazhuar për të mbështetur procesin dhe për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të dyja vendet.