Vendosni fjalën kyçe....

U gjet në ujë nga dy turistë, ende mister vdekja e biznesmenit në Sarandë


Policia ka përjashtuar tani për tani shpërthimin e një bombole oksigjeni si shkakun e vdekjes së biznesmenit Armand Nelaj në Sarandë dy ditë më parë, 26 qershor ndërsa luhet ndeshja Shqpëri-Spanjë për Euro2024.

Fillimisht u mendua se 52-vjeçari, kishte vdekur si shkak i  shpërthimit të bombolës së oksigjenit që po përdorte ndërsa ishte zhytur në ujë, 100 metra larg Portit të Sarandës.

Në njoftimin e policisë thuhet se shkaku i vdekjes së biznesmenit  do përcaktohet pas aktekspertimit.

“Dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që notonte në det, pranë gomones së tij, shtetasi Armand  Nelaj 52 vjeç, banues në Sarandë. Pritet akti i ekspertimit per arsyen e shperthimit. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja

Trupi i pajetë i biznesmenit Nelaj u nxorr nga uji nga dy turistë të huaj, të cilët mendohet se ndodheshin në zonë rastësisht. Sipas deklaratës së turistëve në polici, ata po lëviznin me gomone drejt skafit që ishte në radë kur kanë hasur trupin e viktimës, të cilin pasi e kanë nxjerrë e kanë çuar deri në port.

Sipas familjarëve, viktima nuk ka pasur konflikte. Dyshimet e hetuesve janë se Nelajt mund t’i jetë bërë atentat për shkak konfliktesh apo konkurrence në biznes. Biznesmeni zotëronte kompaninë e mjeteve të ndërtimit “Grand Konstruksion” dhe nuk ka qenë i ndaluar apo dënuar më herët.