Vendosni fjalën kyçe....

Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci, ministri Hasani: Barazia gjinore, përparësia kryesore për Shqipërinë

Për Shqipërinë, fuqizimi i grave dhe progresi i arritur në kuadër të barazisë gjinore mbeten disa prej përparësive kryesore.

Kështu u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin “Gratë në diplomaci: Pse ka rëndësi?”, të organizuar nga MEPJ në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave në Diplomaci.

Ministri Hasani theksoi se duke siguruar pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në të gjitha nivelet, vendi ynë ka parë përfitime reale të një shoqërie që di të shfrytëzojë energjinë dhe krijimtarinë unike të grave për të kontribuar në zhvillim dhe për të përparuar ndjeshëm në plan afatgjatë.

 “Gratë luajnë një rol kyç në promovimin e interesave të politikës së jashtme të Shqipërisë. 54.9% e gjithë stafit të MEPJ përbëhet nga gra dhe vajza. Puna e tyre në fushën e diplomacisë i ka mundësuar Shqipërisë të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke nxitur barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave”, tha kryediplomati shqiptar.

E pranishme në këtë takim ishte edhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë, Fiona Mc Cluney, e cila vlerësoi arritjet e Shqipërisë në forcimin e rolit të gruas në postet vendimmarrëse dhe jo vetëm.

“Shpreh mirënjohjen për të gjitha gratë që bëjnë maksimumin në emër të Shqipërisë. Kam patur mundësinë të flas me mjaft përfaqësuese të Shqipërisë në botë dhe ato janë në pozicione mjaft të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare. Jam prezantuar me punën e madhe që bëjnë ato në vende të ndryshme të botës. Keni përfaqësuese mjaft dinjitoze në diplomacinë ndërkombëtare”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli, theksoi se sa më shumë gra të ketë në vendimmarrje, në diplomaci apo në shërbime të ndryshme për vendin tonë, aq më mirë do të jetë e ardhmja për të gjithë.

“Kur bëhet fjalë për vendimmarrje nga pikëpamja, nëse nuk ndihmojmë gratë e tjera, asgjë nuk do të ndryshojë. Dhe kjo është diçka që ne duhet ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë edhe më mirë se dikush tjetër që mund të jetë në pozicionin tonë”, tha ajo.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, u shpreh se profesionistet e reja e kanë të vështirë rrugën e tyre drejt përfshirjes në fushën e politikës, teksa nënvizoi se nuk mund të ketë avancim pa mbështjen e tyre.

“Ndoshta për këtë arsye përfaqësimi politik sot nuk është në nivelin më të mirë. Por kam besim se nëse marrim parasysh këtë përfshirje të shumë e shumë grave në politikë dhe diplomaci, jam e sigurt se e ardhmja do të jetë më e ndritshme, më e mirë se sot”, deklaroi ajo.

Në fjalën e saj, ambasadorja e Francës e akredituar në Tiranë, Catherine Suard, u shpreh se mbrojtja e të drejtave të grave kudo në botë është një prioritet i qeverisë Franceze.

“Për ne, feminizmi është universializëm, prandaj diplomacia franceze është një diplomaci feminist. Franca është një nga vendet e para që ka inkurajuar gjithnjë e më shumë këtë aspekt”, tha ambasadorja Suard.

Takimi u përshëndet edhe nga Xavier Bettel, ish-kryeministër, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadoret e akredituara në Tiranë të vendeve të Rrjetit të Politikës së Jashtme Feministe, ku bën pjesë edhe Shqipëria.