Vendosni fjalën kyçe....

“Dosja Gërdeci”, familja Durdaj kërkesë gjykatës: Fatmir Mediu të mos lejohet të largohet nga vendi


Familja Durdaj i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të përshpejtojë procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverinë Berisha, Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin në Gërdec ku humbën jetën 26 persona, me të cilëve edhe të mitur.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për News24 se familjarët kanë kërkuar që Mediut t’i ndalohet largimi jashtë Shqipërisë pa lejen e gjykatës.

Sipas kërkesës, ekziston mundësia që Mediu të ndikojë tek dëshmitarët dhe ekspertët për sa kohë që është në gjendje të lirë.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e 15 marsit 2008 ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve dhe municioneve, vdiqën26 persona, u plagosën më shumë se 350 të tjerë ndërsa u shkatërruan qindra banesa.

Katër ditë më vonë, Mediu dha dorëheqjen ndërsa që prej atëherë procesi ka ndjekur një kalvar ligjor me SPAK-un që ka rihapur hetimet për shpërthimin.

Për ngjarjen e rëndë janë dënuar më herër ish-kreu i agjencisë shtetërore MEICO Ylli Pinari e biznesmeni Mihal Delijorgji, pronari i Alba Demil.

Lidhur me shpërthimin ka pasur akuza edhe ndaj djalit të ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha i cili është thirrur në SPAK për dosjen në fjalë.

Në 12 shtator 2008, biznesmeni Kosta Trebicka, i cili akuzoi Shkëlzen Berishën për përfshirje në rastin në fjalë, humbi jetën në mënyrë misterioze në një fshat të Korçës ku kishte vajtur për gjueti.