Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar një punonjës policie të shpallur në kërkim, me masë sigurie “Arrest në burg”.
Sipas raportimev në media, AMP arrestoi inspektorin Briken Tereziu, 39-vjeç, i dyshuar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
“Në vijim të komunikatës së datës 04.06.2024, mbi ekzekutimin e masave të sigurimit personal ndaj 8 punonjësve të policisë, efektivë në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas dhe pas shpalljes në kërkim të punonjësit të policisë, Inspektor B. T., 39 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë të mundur sot arrestimin dhe ekzekutimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur si rezultat i hetimeve disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke aplikuar edhe metoda speciale të hetimit, nëpërmjet të cilave u siguruan prova dhe fakte për implikimin e tyre në veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Tereziu ishte pjesë e një grupi që lejonte apo ndihmonte kalimin përmes pikës së Kalimit Kufitar në Rinas të shtetasve që kishin probleme në vendet Schengen dhe që nuk iu lejohej udhëtimi.
Konkretisht, për periudhën Mars 2023- Mars 2024, shtetasi Enea S., posedues i një agjensie turistike “Bus Albania”, me objekt veprimtarie ndër të tjera edhe “tregëtim të biletave të avionit” mbante kontakte të vazhdueshme me kontrollorin e policisë kufitare në Aeroportin Rinas, Inspektor Briken Tereziu, të cilit i dërgonte të dhëna dhe dokumenta udhëtimi të personave që nuk iu lehohej udhëtimi drejt vendeve të BE-së dhe ky i fundit persdonalisht apo nëpërmjet kolegëve të tij, rast pas rasti, në varësi të problematikave, kundrejt shumave monetare që varionin në vlera të ndryshme, lejonin kalimin e tyre sipas destinacioneve.