Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, është dënuar me 45 vjet burg dhe një gjobë prej 8 milionë dollarësh nga një gjykatës amerikan për shkelje të trafikut të drogës.
Ai ka mohuar më parë akuzat kundër tij dhe në dënimin e tij të mërkurën këmbënguli se ai është i pafajshëm dhe se ishte “akuzuar gabimisht dhe pa të drejtë”.
Në mars, një juri në Nju Jork e shpalli Hernandez-in fajtor për tre akuza për trafik droge pas një gjyqi dyjavor në gjykatën federale të Manhatanit. Ai i mohoi akuzat.
Ai u ekstradua nga Hondurasi pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti kundër tij tre akuza për trafik droge dhe armë zjarri në vitin 2022.
Prokurorët e kishin akuzuar Hernández, 55 vjeç, për komplot me kartelet e drogës gjatë mandatit të tij, ndërsa ata transportonin më shumë se 400 ton kokainë përmes Hondurasit drejt Shteteve të Bashkuara.
Në këmbim, thanë prokurorët, Hernández mori miliona dollarë ryshfet që i përdori për të nxitur ngritjen e tij në politikën e Hondurasit.
Hernández ishte president i Hondurasit nga viti 2014 deri në vitin 2022. Gjatë viteve të tij në detyrë, ai “mbrojti dhe pasuroi trafikantët e drogës në rrethin e tij të ngushtë”, tha Departamenti i Drejtësisë.
Prokurorët thanë gjithashtu se anëtarët e komplotit në të cilin mori pjesë Hernández mbështeteshin te Policia Kombëtare e Hondurasit për të mbrojtur dërgesat e kokainës ndërsa ato lëviznin nëpër vend.