Vendosni fjalën kyçe....

Mbytet një 30-vjeçar në liqenin e Banjës, detajet e para


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gramsh, ku dyshohet se një person është vetë-mbytur në liqenin e Banjës.

Pranë liqenit, afër fshatit Qerret, janë gjetur disa sende që mendohet të jenë të një 30-vjeçari i cili ka qenë i zhdukur prej dy ditësh dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Forcat e policisë dhe zjarrfikësja kanë mbërritur në vendngjarje dhe po kërkojnë për trupin e 30-vjeçarit, që dyshohet se është mbytur. Gjithashtu, në vendngjarje kanë mbërritur edhe polumbarët që po bëjnë kontroll të zonës.

“Mëngjesin e sotëm, në Komisariatin e Policisë Gramsh, ka kallëzuar shtetasi S. B., se pasditën e djeshme, i ishte larguar nga banesa djali i tij shtetasi I. B., 30 vjeç, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë sëbashku me familjarët kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, dhe rreth orës 12:30, kanë gjetur në afërsi të liqenit të Banjës, në fshatin Qerret, sende të 30-vjeçarit (qese me duhan), i cili dyshohet të jetë vetëmbytur në liqen.

Shërbimet e Policisë, zjarrfikëses sëbashku me familjarët vijojnë kërkimet përgjatë rrjedhës së liqenit.

Gjithashtu, me qëllim gjetjen e trupit të shtetasit I. B., janë nisur polumbarët e RENEA-s.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit”, njofton policia.