Vendosni fjalën kyçe....

Monedha japoneze bie në nivelin më të dobët që nga viti 1986


Jeni japonez ka rënë në nivelin e tij më të dobët ndaj dollarit amerikan që nga viti 1986, duke i vënë tregtarët në alarm se zyrtarët mund të detyrohen përsëri të ndërhyjnë për të mbështetur monedhën e sëmurë.

Jeni ra 0.4 për qind kundrejt dollarit në 160.3 jen për dollar të mërkurën, duke kaluar nivelin që arriti në fund të prillit përpara se Ministria e Financave e Japonisë të shpenzonte një rekord prej 9.8 trilionë jenësh (62 miliardë dollarë) për të rritur monedhën.

Analistët presin që zyrtarët japonezë të ndërhyjnë përsëri nëse jeni vijon të bjerë, por paralajmërojnë se ata do ngurrojnë duke pasur parasysh koston e ndërhyrjes dhe ndikimin relativisht të shkurtër të përpjekjeve të mëparshme.

“Zyrtarët japonezë do e shikojnë këtë nga afër,” tha Derek Halpenny, kreu i kërkimit në MUFG.

“Nëse marrim një rritje të papritur në 162, ata mund ta përdorin atë si një arsye për të justifikuar një ndërhyrje tjetër.”

Qeveria e Japonisë nuk do dëshironte ta lërë monedhën të bjerë shumë më tej, sepse jeni i dobët ka rritur kostot e jetesës dhe kryeministri Fumio Kishida ëshë i etur të mbledhë mbështetje përpara zgjedhjeve të kreut të partisë së tij Liberal Demokratike në shtator, shtoi Halpenny.

Jeni ka rënë 12 për qind kundrejt dollarit këtë vit pasi investitorët zvogëluan pritshmëritë e tyre për uljen e normave të interesit të Rezervës Federale, duke e çuar monedhën amerikane më lart. Megjithëse Banka e Japonisë përfundoi tetë vjet me norma interesi negative në mars, ajo ka qenë e kujdesshme në lidhje me perspektivën e rritjes së mëtejshme të kostove të huamarrjes japoneze.