Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e tatimit prej 15% për profesionet e lira përbën një fitore të rëndësishme për qytetarët.
Gjatë një deklarate për mediat nga Kuvendi, Tabaku argumentoi se nuk kishte asnjë bazë ligjore për të imponuar një tatim të tillë ndaj kësaj kategorie profesionistësh të lirë.
Sipas saj, ky vendim është një hap pozitiv në drejtim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe sigurimit të drejtësisë fiskale.
“Pas paraqitjes së argumenteve dhe fakteve ne fituam sot një betejë për të gjithë këto profesione të lira. Në fituam një betejë sepse GJK sot doli me vendim që tatimi mbi profesionet e lira është antikushtetues, që i diskriminonte profesionet e lira. Për këtë arsye nuk ka asnjë bazë ligjore që ky tatim të trajtohet ndryshe nga profesionet e lira. Kjo është një betejë e fituar e grupit parlamentar të PD, e profesionistëve të lirë, por më tepër është një betejë e fituar për qytetarët shqiptarë, për shtresën e mesme, për ata që punojnë me mundim dhe në mënyrë të padrejtë ishin duke u taksuar më shumë se çdo biznes tjetër”, tha Tabaku.