Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky nënshkruan tri pakte të sigurisë gjatë samitit të BE-së


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar marrëveshje të sigurisë me Bashkimin Evropian, Estoninë dhe Lituaninë gjatë nisjes së samitit dyditor të bllokut në Bruksel. 

Marrëveshja e sigurisë me BE-në përforcon mbështetjen e bllokut për Kievin në nëntë fusha të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes. 

Në draftin e marrëveshjes, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë thuhet se BE-ja dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe shprehet mbështetja për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe e drejta e Kievit për t’u mbrojtur nga agresioni rus. 

Në draft thuhet po ashtu se BE-ja mbështet reformat e Ukrainës dhe rrugën drejt pranimit në bllok, duke shtuar se ndihma e BE-së për Ukrainën është pothuajse 100 miliardë euro, përfshirë 35 miliardë euro në mbështetje ushtarake. 

“Rusia nuk duhet të triumfojë” në luftën kundër Ukrainës që e nisi në shkurt të vitit 2022, thuhet në draft, ku shtohet se Ukraina duhet të rimarrë territorin e aneksuar nga Moska. Po ashtu aty listohen një sërë zotimesh për dhënien e pajisjeve ushtarake, për ofrimin e trajnimeve ushtarake dhe bashkëpunimin mes industrisë së mbrojtjes të Ukrainës dhe BE-së. 

Marrëveshjet që Zelensky nënshkroi me Lituaninë dhe Esotninë gjatë samitit të BE-së, synojnë të plotësojnë marrëveshje të tjera të ngjashme që Ukraina ka arritur me aleatët. Ato nuk janë pakte të ndërsjella të mbrojtjes, por në to përfshihen zotime për t’i ofruar Ukrainës armë dhe ndihmë tjetër dhe për të parandaluar ndonjë pushtim tjetër në të ardhmen. 

Ceremonia e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve hapi edhe takimin e Këshillit Evropian, ku marrin pjesë liderët e 27 shteteve të BE-së, të cilët mbajnë takimin e parë zyrtar që nga zgjedhjet evropiane të 6-9 qershorit. 

Zgjedhja e zyrtarëve të lartë të bllokut në agjendë 

Përveç çështjeve të mbrojtjes, në samit temat kryesore të të cilit do të jenë shpërndarja e pozitave kyçe drejtuese në institucionet e bllokut dhe agjenda strategjike për pesë vjetët e ardhshme, si dhe Ukraina dhe Lindja e Mesme. 

Udhëheqësit e shteteve anëtare duhet t’i emërojnë presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri. 

Meqenëse është një paketë, ata duhet të bien dakord edhe për emrin e presidentit të ardhshëm të Këshillit Evropian, emërimi i të cilit është përgjegjësi e krerëve të shteteve ose qeverive të shteteve anëtare, si dhe presidentit të Parlamentit Evropian, i cili zgjidhet nga eurodeputetët. 

Negociatorët nga tre grupe politike, Partia Popullore Evropiane (EPP), Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) dhe Liberalët (Renew), arritën një marrëveshje për pozitat e larta në bllok. 

Ata ranë dakord që Ursula von der Leyen të marrë një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian. 

Presidenti i Këshillit Evropian, siç është rënë dakord, duhet të jetë ish-kryeministri portugez i krahut të majtë, Antonio Costa, kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas nga Renew duhet ta zëvendësojë spanjollin Josep Borrell në udhëheqjen e politikës së jashtme të bllokut, ndërsa presidente e Parlamentit Evropian duhet të mbetet maltezja Roberta Metsola për dy vjetet e ardhshme. 

Sipas agjencive kryenegociatorët nga tri grupet kryesore parlamentare – kryeministri polak, Donald Tusk dhe ai grek, Kyriakos Mitsotais nga EPP-ja; kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez nga S&D; dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte nga Reneë – diskutuan për marrëveshjen për tri orë, duke mos përfshirë liderët e tjerë në diskutime. 

Emërimi i Ursula von der Leyen duket i sigurt pas kësaj marrëveshjeje, por është më pak e sigurt se ajo do ta marrë një shumicë të madhe (361 vota) në Parlamentin Evropian, edhe pse këto parti kanë një shumicë prej 399 deputetësh, sepse ato jo gjithmonë votojnë ashtu siç votojnë shumica në grupet e tyre parlamentare. 

Të martën, kryeministri hungarez Viktor Orban kritikoi ashpër “marrëveshjen e PPE-së me të majtët dhe liberalët”, duke thënë se ajo është “kundër çdo gjëje në të cilën bazohet BE-ja”. 

“Në vend të përfshirjes, ai mbjell farën e ndarjes. Zyrtarët më të lartë në BE duhet të përfaqësojnë të gjitha shtetet anëtare, jo vetëm të majtët dhe liberalët”, tha Orban, vendi i të cilit do të marrë kryesimin e BE-së më 1 korrik. 

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, vlerësoi të mërkurën se marrëveshja e gjashtë liderëve evropianë për shpërndarjen e posteve kyçe nuk respekton vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet evropiane. 

Në samitin dyditor, krerët e BE-së duhet të miratojnë gjithashtu një program strategjik që përcakton udhëzimet për veprimet e BE-së në pesë vjetët e ardhshme. 

Samiti filloi të enjten pasdite me një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit hapi zyrtarisht negociatat e pranimit të martën. 

Në samit, udhëheqësit duhet të mirëpresin miratimin e kornizave negociuese për Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe qëndrimet e përbashkëta për kapitujt mbi drejtësinë dhe të drejtat themelore për Malin e Zi, të cilat duhet ta lejojnë atë të përshpejtojë negociatat. 

“Samiti do të jetë një mundësi për të mirëpritur miratimin e kornizave të negociatave dhe mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në letrën e ftesës për samitin, duke shtuar se këto janë “hapa historikë në mbështetje të rrugës së këtyre vendeve drejt anëtarësimit evropian”. 

Është gjithashtu e domosdoshme që të shtojmë mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe të vazhdojmë të marrim mbështetje të gjerë ndërkombëtare për një paqe të drejtë në Ukrainë bazuar në Kartën e OKB-së, shtoi ai. 

Kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme, liderët e BE-së në samit pritet të bëjnë thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, zbatimin e propozimit për armëpushim të përfshirë në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përsërisin thirrjen për armëpushim në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve dhe kërkesa për shtimin e ndihmave humanitare./REL