Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Dialogu me Serbinë s’ka mirëbesim pa u dorëzuar Radoiçiçi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur tri kushtet që ka publikuar këtë javë në Bruksel dhe theksoi se pa përmbushjen e tyre nuk mund të ketë dialog për normalizim të marrëdhënieve dhe për fqinjësi të mirë. Në nisje të mbledhjes së Qeverisë, ai tha se ekziston një mungesë e mirëbesimit në bisedimet me Serbinë.

Kurti theksoi se në procesin e dialogut nuk ka mirëbesim për aq kohë sa Milan Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi. Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë, ai përsëriti garancitë që ka kërkuar në Bruksel, të cilat këtë javë kushtëzuan takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Përveç dorëzimit të Radoiçiqit dhe përgjegjësve të tjerë për sulmin në Banjskë, kryeministri Kurti kushtëzoi takimin edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të deritashme dhe me tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiç, në të cilën Serbia deklarohet se nuk do t’i zbatojë disa pika të marrëveshjes bazë.

Kjo bëhet me pranim në tërësi të marrëveshjes, të cilën e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj. Me zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa neneve të saj. Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja letrës së ish-kryeministres Bërnabiq do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar, do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, ka thënë Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese, për vendimet me të cilat është rrëzuar Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme e edhe Ligji për Këshillin Prokurorial. Sipas tij, për të dyja janë dhënë opinione pozitive nga Komisioni i Venedikut.

Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës rrëzoi që të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit, ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për, në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur që Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, duke treguar kështu që Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses, në raport me gjysmën tjetër të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, ka vazhduar ai.

Kryeministri Kurti, është treguar kritik më herët edhe ndaj gjykatave të rregullta. Ai ka thënë të jetë e pakuptimtë që ndonëse Milan Radoiçiç e ka pranuar publikisht se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ende nuk ka një aktakuzë ndaj tij dhe pjesëtarëve të grupit paraushtarak serb.