Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja e destinacionit turistik luksoz arrestohet për “magji të zezë” ndaj presidentit


Sekretarja e Shtetit për Mjedisin dhe Energjinë e Maldiveve është burgosur, pasi dyshohet se ka bërë magji kundër presidentit të vendit.

Maldivet janë një arkipelag i vendosur në jugperëndim të Indisë, i njohur për plazhet me rërë të bardhë dhe vendpushimet luksoze të cilat janë të njohura nga turistët në mbarë botën. Shumica e banorëve vendas janë myslimanë.

Fathimath Shamnaz Ali Saleem u arrestua të dielën, së bashku me dy bashkëpunëtorë të dyshuar, tha policia në kryeqytetin Male, të enjten. Një gjykatës e ka urdhëruar atë të qëndrojë në burg për një javë, në pritje të hetimeve.

Policia nuk tha se për çfarë akuzohej Shamnaz dhe nuk pranoi të konfirmonte ose mohonte raportet e mediave se ajo kishte bërë “magji të zezë” drejtuar Presidentit Mohamed Muizzu.

Magjia nuk është një vepër penale sipas ligjit në Maldive, por ata që shpallen fajtorë për të mund të burgosen për gjashtë muaj sipas ligjit islamik (Sheriat). Sipas South China Morning Post, shumë banorë vendas praktikojnë ende “ceremoni tradicionale”, duke kërkuar të bekojnë miqtë dhe të mallkojnë kundërshtarët.

Gjatë krizës politike 2011-12, policia mbylli një tubim nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Nasheed, duke akuzuar organizatorët e tij se kishin hedhur një “gjel të mallkuar” ndaj oficerëve që kishin bastisur zyrat e tyre.

Muizzu fitoi zgjedhjet e vitit 2023 si sfidues i presidentit të tanishëm, Ibrahim Solih. Marrëdhëniet e Maldiveve me Indinë që atëherë janë përkeqësuar, pasi Muizzu është akuzuar për favorizimin e Kinës.