Vendosni fjalën kyçe....

Një udhëzues i shkurtër për fazën finale të Euro 2024


Pas mbylljes së fazës në grupe Evropiani 2024 që zhvillohet në Gjermani është futur në fazën finale me 16 ekipet që do garojnë drejt finales.

Më poshtë është një udhëzues i shkurtër i çifteve që përballen.

ZVICER – ITALI (29 qershor, Berlin, ora 18:00)

Zvicra la përshtypje mjaft të mirë në fazën në grupe me efikasitetin e saj të zakonshëm, ndërsa kampioni në fuqi, Italia nuk e pati të lehtë kualifikimin në 16-shen e fundit. Zviceranët mundën Francën me penallti në këtë fazë pas një barazimi emocionues 3-3 në vitin 2021 dhe rekordi do jetë i vështirë për t’u mposhtur.

Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, ka deklaruar se ekipi i tij po përmirësohet me çdo ndeshje të luajtur. Pesë nga gjashtë takimet e fundit mes skuadrave kanë përfunduar në barazim dhe fitorja e fundit e Zvicrës ndaj Italisë ishte në vitin 1993.

GJERMANI – DANIMARKË (29 qershor, Dortmund, ora 21:00)

Gjermania mikpritëse kryesoi Grupin A me shtatë pikë, ndërsa Danimarka përparoi në vendin e dytë në Grupin C, pavarësisht se barazoi të tre ndeshjet. Gjermania ka shënuar më shumë gola (8), ka pasur më shumë zotërim të topit (64.3%) dhe saktësinë më të mirë të pasimeve (93%) nga çdo skuadër, pasi e ka zgjatur ecurinë e saj të pamposhtur në shtatë ndeshje.

Danimarka nuk është aspak favorite, por arriti në gjysmëfinale tre vjet më parë, ku humbi në kohën shtesë nga Anglia.

ANGLI – SLLOVAKI (30 qershor, Gelsenkirchen, ora 18:00)

Anglia çaloi nëpër fazat e grupeve dhe pas një ndeshjeje të fortë kundër Serbisë në fillim, është paraqitur dobët, pavarësisht nga një sërë talentesh sulmuese në dispozicion të trajnerit Gareth Southgate.

Ata do ta shohin këtë si një mundësi të shkëlqyeshëm për të shkuar më tej, por do gjejnë përballë një kundërshtar të zjarrtë. Anglia gjuajti  vetëm 10 herë  në portë në tre ndeshjet e saj në grupe, duke shënuar dy herë. Kjo nuk është forma që kërkohet nga një ekip pretendent për trofeun. Skuadrat u takuan për herë të fundit në kualifikimet e Kupës së Botës 2018 ku Anglia fitoi 2-1 dhe 1-0.

SPANJË – GJEORGJI (30 qershor, Këln, ora 21:00)

Spanja ishte skuadra më mbresëlënëse në fazën e grupeve me tre fitore, pesë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ata kanë arritur në gjysmëfinale të paktën në tre nga katër finalet e fundit të Europianit, duke fituar titullin në 2008 dhe 2012.

Debutuesit e Gjeorgjisë befasuan Portugalinë 2-0 për të vulosur vendin e tyre në 1/16. Spanja ka fituar katër takimet e fundit mes dy skuadrave, të gjitha që nga viti 2021, duke përfshirë fitoret 7-1 dhe 4-0.

FRANCË – BELGJIKE (1 korrik, Dyseldorf, ora 18:00)

Kërkimi i Belgjikës për një trofe të parë të madh ndërkombëtar i ka çuar në një përplasje me francezët e fuqishëm dhe skuadrën e trajnerit Domenico Tedesco që nuk ka treguar asgjë në Gjermani për të sugjeruar se kjo është një pengesë që ata mund ta kapërcejnë.

Edhe Franca nuk ka treguar ende nivelin  e pritur prej saj, megjithëse të dyja skuadrat nuk pësuan gol në fazën e grupeve, duke sugjeruar se problemet e tyre kanë të bëjnë me fuqinë sulmuese. Kjo është befasuese me lojtarë si Kylian Mbappe dhe Kevin De Bruyne në radhët e tyre. Në tre ndeshjet e fundit mes skuadrave janë shënuar 13 gola.

PORTUGALI – SLLOVENI (1 korrik, Frankfurt, ora 21:00)

Humbja e Portugalisë ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e tyre të fundit në grup erdhi nga hiçi, duke i dhënë fund një serie prej 12 fitoresh radhazi në ndeshjet konkurruese që nga Kupa e Botës 2022 në Katar.

Ata megjithatë kryesuan grupin e tyre dhe luajnë me një ekip slloven që kaloi në 16-shen e fundit pas tre barazimeve dhe që mundi Portugalinë 2-0 në një miqësore në mars. Asnjë lojtar në turne nuk ka pasur më shumë përpjekje për gol sesa Cristiano Ronaldo (12), por ai ende nuk ka shënuar.

RUMANI – HOLANDË (2 korrik, Mynih, ora 18:00)

Kishte emocione të përziera për këto skuadra pas fazave të grupeve, ndërsa Rumania festoi në mënyrë të egër një vend të parë në Europianë që nga viti 2000, duke kryesuar Grupin E kurse Holanda rrëshqiti në një humbje 3-2 ndaj Austrisë dhe përfundoi e treta në grupin e saj.

Holandezët do shpresojnë të shmangin një eliminim të dytë radhazi në 1/16 pasi humbën 2-0 ndaj Çekisë tre vjet më parë. Katër takimet e fundit me Rumaninë i kanë fituar.

AUSTRI – TURQI (2 korrik, Leipzig, ora 21:00)

Austria fitoi 6-1 kur këto skuadra u takuan në një miqësore në mars, por një Turqi e vendosur do jetë një tjetër histori këtë herë. Austriakët ishin ndër skuadrat më mbresëlënëse në fazat e grupeve, edhe nëse ata humbën ndeshjen e tyre hapëse 1-0 ndaj Francës dhe kanë vrull për të shkuar në turret e mëtejshme.

Po ashtu edhe Turqia, megjithëse ajo u mund 3-0 nga Portugalia pesë ditë më parë. Vetëm Skocia (7), Kroacia (6) dhe Polonia (6) pësuan më shumë gola se Turqia (5) në fazat e grupeve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters