Vendosni fjalën kyçe....

Olsi Rama në SPAK, replikat me Bardhin


Më 28 mars të këtij viti kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi denoncoi Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, si të përfshirë në çështjen e organizatës kriminale të Xibrakës.  

Ai publikoi disa dokumente të prokurorisë, ku përfshirja e Olsi Ramës sipas tij ishte lënë pa emër por ishte identifikuar makina që ai përdor. 

 “Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM. 

Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal).  Pak kohë më parë, bëra të njohur faktin se disponoj prova që e lidhin Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit të Shqipërisë, me organizatën kriminale të trafikimit të drogës në Xibrakë, organizatë kjo e zbuluar 10 vite më parë nga organet ligjzbatuese gjermane. 

Këto prova faktojnë se Shqipëria nuk udhëhiqet nga një qeveri demokratike, por sundohet nga një kryeministër i marrë peng nga organizatat kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës.”, deklaroi ai.

Një ditë më pas, 29 mars 2024 Bardhi lajmëroi se ka dërguar zyrtarisht në SPAK kërkesën për nisjen e hetimeve penale ndaj Olsi Ramës.

Sipas tij, drejtësia kishte për detyrë të rihapë menjëherë dosjen, sepse kishte shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq nga prokuroria e kohës. 

Bardhi shkroi ne ate kohe se shqiptarët janë në pritje të përgjigjes së pyetjes: “Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?

Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës? Kush është personi i paidentifikuar, i moshën 45 vjeç, që përdor makinën me targa AA 653 DM”

Ndërkaq paraditen e sotme Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, është paraqitur në SPAK. Ai tha se ishte për të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.

Ai deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje dhe sipas tij dihet se kush është pronari i automjetit. Olsi Rama tha se automjetin e ka përdorur për një udhëtim dy ditësh Selanik dhe se nuk ka lidhje me asnjë prej personave përmendur. 

“Nuk e di se çfarë ka vendosur, SPAK. Kur ta hap do t’ju lajmëroj. E kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve. Për të dalë e vërteta. Nuk kam asnjë lidhje. Ju e dini se i kujt është automjeti. Unë i kam marrë automjetin për të shkuar dhe për të bërë një udhëtim dy dyditor në Selanik, nuk kam lidhje me asnjë nga personat, vetëm njëri njoh, do të vijë kurdo që të jetë nevoja”, tha Olsi Rama.

Nuk ka munguar edhe reagimi i Gazment Bardhit në lidhje me thirrjen në Prokurorinë e Posaçme të vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama. Ai tha se deklarimet publike të Olsi Ramës janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje.

“Të sillesh si budalla përpara derës së SPAK-u është një strategji e gabuar që nuk të shpëton nga e vërteta! Të thuash që ke përdorur makinën e trafikantëve të drogës, por trafikantët nuk i njeh, është një gënjeshtër banale.

Olsi Rama konfirmoi përpara derës së SPAK gjithçka kam denoncuar për të. Deklarimet e tij publike janë e vërteta më e madhe e kësaj çështjeje: “Një herë deklaroi se njeh njërin nga trafikantët, sot tha nuk njoh asnjërin. Një herë s’kam udhëtuar me narkomakinën, sot tha kam udhëtuar vetëm një herë”.

Por, sot vëllai i vogël i Edi Ramës gënjeu sërish publikisht kur tha se e ka përdorur vetëm njëherë narkomakinën AA 653 DM. Të dhënat zyrtare të sistemit TIMS dokumentojnë të kundërtën, se ai ka përdorur të paktën 7 herë narkoautomjetin AA 653 DM për daljet e tij jashtë vendit gjatë periudhës kur ndërtohej laboratori i drogës në Xibrakë.

Gënjeshtra e ditës dhe alibitë nuk janë as mjet mbrojtës dhe as zgjidhje. E vërteta ndodhet në procedimin penal 335/1-2016 që u tentua të varrosej nga prokuroria, por që sot mban numrin 88-2024! Inkurajoj SPAK t’i shkojë me guxim deri në fund të vërtetës, duke na provuar se në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm!”, tha ai.

Gjithashtu edhe kryeministri i vendit ka reaguar ne lidhje me  thirrjen e vëllait të tij Olsi Rama në Prokurorinë e Posaçme.

Në një postim në rrjetin social “X” ka shfaqur kritika të ashpra ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, duke e përshkruar atë si “çingie që tund dosjen si dajre në prehrin e tutorit të ri lart në ballkon”.

Kreu i qeverisë tha se kallëzimi i Bardhit është “i paqenë” dhe se duhet të presim për rezultatet e SPAK për të parë nëse do të gjejnë prova.

“A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë. Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon. Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallzim që nuk ekziston! Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!”, tha Rama në rrjete sociale.

Pas reagimit të kryeministrit Bardhi publikoi përgjigjen e kreut të SPAK, Altin Dumanit, që konfirmon se çështja e Xibrakës është rihapur për shkak të kallëzimit të tij.

Vëllai i Olsit vazhdon me gënjeshtrat ditore, duke përhumbur në nocione juridike që as i kupton dhe as nuk mund ti kuptojë. Po morë budalla po kallëzim kam bërë! Lexo përgjigjen e drejtuesit të prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani!

Unë nuk do bëjë kallëzimin në formën që don ti dhe yt vëlla, me qëllim rivarrosjen e çështjes që ekziston nga Prokuroria e Hanoverit.

Unë kam bërë kallëzim siç e kërkon ligji në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, dhe që ka risjell ekzaktësisht atë që unë kam kërkuar: “Rihapjen e dosjes penale 335/1-2016 që prokurori yt personal e kishte varrosur në 2018”.

Tani mban nr. 88-2024, që do të shenjojë gjatë gjithë jetës dhe duhet ta mbash mend mirë! Deri atëherë, ndrysho strategji, të fala Olsit dhe kujdes narkoautomjetit me targa AA 653 DM!”, deklaroi Bardhi.