Departamenti i Arsimit i Oklahomas urdhëroi çdo mësues në shtet që të ketë një Bibël në klasën e tij dhe të japë mësim prej saj, në një njoftim të enjten që sfidon vendimet e Gjykatës së Lartë të SHBA-së që kanë gjetur se sponsorizimi shtetëror i fesë është jokushtetues.
Ryan Walters, mbikëqyrësi i mësimit publik në Oklahoma, njoftoi urdhrin me efekt të menjëhershëm në takimin e bordit të Departamentit të Arsimit të së enjtes, në të cilin tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Dhjetë Urdhëresave.
“Çdo mësues, çdo klasë në shtet do ketë një Bibël në klasë dhe do japë mësim nga Bibla për të siguruar që ky kuptim historik të jetë aty për çdo nxënës në shtetin e Oklahoma,” tha ai.
Ai e quajti Biblën, shkrimet e shenjta të judaizmit dhe krishtërimit, një nga “dokumentet themelore të qytetërimit perëndimor”. Ai tha se figura të rëndësishme historike, duke përfshirë udhëheqësin e të drejtave civile Martin Luther King, Jr., iu referuan tekstit.
Si Bibla Hebraike ashtu edhe ajo e Krishterë përfshijnë profetin hebre Moisi duke marrë Dhjetë Urdhëresat në malin Sinai, ndërsa vetëm Bibla e krishterë përfshin Dhiatën e Re. Walters, i cili është i krishterë, nuk përcaktoi se cilin lloj duhet të përdorin mësuesit për të përmbushur urdhrin e tij dhe zëdhënësi i tij nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve.
Klauzola e Themelimit të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së është interpretuar për të ndaluar shtetin të sponsorizojë ose themelojë ndonjë fe të caktuar. Kushtetuta e Oklahomas shkon më tej, duke përcaktuar se çdo shkollë publike dhe shpenzim i fondeve publike duhet të jetë josektar dhe prej tij të mos përfitojë “asnjë sekt, kishë, besim apo sistem feje”.
Kjo pjesë e kushtetutës së shtetit u citua dy ditë përpara shpalljes së Walters, kur Gjykata e Lartë e Oklahomas hodhi poshtë një përpjekje në të cilën Walters ishte përfshirë për të krijuar shkollën e parë fetare të financuar nga taksapaguesit në SHBA, shkruan Reuters.
Sindikata kryesore e mësuesve në Oklahoma tha se urdhri për Biblën i Walters ishte jokushtetues dhe se ligji i shtetit thotë se distriktet shkollore kanë të drejtë të vendosin se cilët libra janë në dispozicion në klasat e tyre.
“Mësimi rreth kontekstit historik të fesë dhe Biblës është i lejueshëm; megjithatë, mësimi i doktrinës fetare nuk është i lejueshëm,” tha në një deklaratë Shoqata e Arsimit në Oklahoma.
“Shkollat publike nuk mund t’i indoktrinojnë nxënësit me një besim të caktuar fetar ose kurrikulë fetare.”