Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Astrit Avdylaj


 

Është arrestuar Astrit Avdylaj.

Operacioni është bërë nga forcat speciale në bashkëpunim me efektivë të SPAK-ut dhe BKH-së që kishin siguruar informacion mbi bazat e tij të mundshme bazuar dhe në interceptime telefonike dhe informacionet operative.

Në momentin e arrestimit në shtëpinë e tij në Shijak i është gjetur dhe një armë zjarri. 

“Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH me mbështetjen e Forcave Speciale Renea.

Operacioni në masa të larta sigurisë, bazuar në inteligjencën policore për vendndodhjen e një të shumëkërkuari me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Kapet dhe vihet në pranga shtetasi A.A, 50 vjeç, banues në Shijak, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Në momentin e ndërhyrjes së forcave policore, 50 vjeçarit ju gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Departamentin e Policisë Krimianale, bënë të mundur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Operacioni “Revanshi” vijon“-thuhet në njoftimin e policisë.

Astrit Avdylaj, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza edhe për lidhje të forta politike.

Ndaj dy vëllezërve të botës së krimit në Shqipëri, Astrit dhe Altin Avdylaj, janë lëshuar urdhër arreste nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, 43 të tjerëve edhe në kuadër të dosjes “Revanshi”. Hetimet mbi dosjen në të cilën përfshien emrat më të njohohur të krimit në Shqipëri nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve ‘Sky’ që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

Gjatë hetimit rezultoi se Astrit Avdylaj dhe personat e tjerë merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike, ku droga vinte nga Kolumbia, Turqia dhe Peruja dhe përpunohëj në laboratorin në Has dhe më pas shpërndahej në shtetet europiane si Holanda, Gjermania, Franca etj.  Ishin përgjimet që nxorën zbuluar grupi i Avdylajve të Shijakut.

Banda e Avdylajve në Shijak dyshohet se bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë.

Aktiviteti kriminal i Avdylajve në Shijak raportohet të ketë nisur pas 1990. 

Në vitin 1996 u vra më armë zjarri, Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. 

Ai i kishte vendosur një gjobë biznesmenit Tefik Hyka, pronari i fabrikës së tullave në Vlorë.

Dritan Avdyli u telefonua nga një bashkëpunëtor shijakas i Tefik Hykës për të shkuar në zonën e “Katër Rrugëve të Shijakut” për të marrë paratë që i kishte kërkuar Tefikut, por në momentin që bashkë me shokun arrin në lokal goditet me një breshëri plumbash nga një vrasës me pagesë i ardhur nga Tirana, Durim Kusi.

Astrit Avdyli, i dënuar më parë për prostitucion në Itali merr hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Më pas Shkëlqim Avdylaj vrau në Tiranë, Durim Kusin. Ndërkohë që Jasmin Avdyli është dënuar më parë në Itali pasi u përfshi në vrasjen e një marshalli italian.

Operacioni  “Volvo 4”

Policia e Shtetit goditi familjen kriminale Avdyli në Shijak duke arrestuar tre vëllezërit, kushëririn e parë të tyre dhe mbi 20 anëtarë të bandës me akuzat për trafik heroinë në Shqipëri dhe në Gjermani.

Të arrestuar ishin vëllezërit; Astrit Avdyli, që është koka e bandës, Flamur Avdyli, (që u lirua më vonë) dhe Shkëlqim Avdylin.

Ndërsa përpos tyre u prangos kushëriri i parë, Jasim Avdyli së bashku me H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine dhe mbi 20 persona të tjerë.

Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre kompania ‘Orges Albania 2016’ dhe hoteli luksoz ‘Germany’ në Durrës.