Deputeti i PD Oerd Bylykbashi, i ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 komentoi skandalin te Onkologjiku dhe punën që ka bërë deri tani SPAK.
Ai u shpreh se askujt nuk i duhen juntat e prokurorëve dhe se Struktura e Posaçme bën edhe shou dhe diçka e tillë është një aspekt që nuk i pëlqen.
Oerd Bylykbashi: Është e tmerrshme kur e dëgjon skandalin e Onkologjikut. Pavarësisht skandalit, besoj se ka dhe mjekë, që janë të ndershëm dhe bëjnë punën e tyre ndershmërisht. Uroj që ky skandal mos të dëmtojë punën e mjekëve që punojnë me djersë. Në lidhje me masat e sigurisë për këta mjekë, që disa thonë se janë disi të buta, mund të them se njerëzit kanë humbur besimin te drejtësia. Edhe pjesa që të arrestosh shumë njerëz, vetëm për të thënë se po bën drejtësi, nuk është gjë e mirë. Duhet ta kundërshtojmë idenë që drejtësia vetëm arreston. Le t’i ikim drejtësisë popullore, drejtësia të veprojë siç duhet, me prova.
Ne iu futëm reformës në drejtësi, që mos kapej, por sot reforma në drejtësi është e kapur politikisht. Prokuroria e Krimeve të Rënda unë besoj se ka qenë më e mirë sesa SPAK. Diferenca është se ata nuk ndiheshin. SPAK bën dhe shou të madh mediatik. Pse duhet që SPAK të ekspozojë veten sikur janë heronjtë që do na shpëtojnë? Askujt nuk i duhen juntat e prokurorëve. SPAK ka çuar në gjykim zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre dhe SPAK është ende pak në raport me pritshmëritë. Do kisha pritur që Dumani të flasë më pak. Nuk më pëlqejnë prokurorët që bëjnë shou. SPAK të bëjë më shumë punë sesa fjalë. Presion ata do kenë gjithmonë. Nuk janë heronjtë e fëmijëve tanë, duhet të bëjnë punën e vet.