Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë”.
Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur një anëtar i xhandarmërisë serbe, i cili ka marrë plagë në qafë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas raportimeve, xhandari ka përdorur armën e tij për vetëmbrojtje duke qëlluar dhe vrarë agresorin.
Polici është transportuar për në urgjencën e Beogradit, ku është kryer dhe heqja e shigjetës nga qafa.
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, ka vizituar efektivin e plagosur.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të zbuluar motivet e këtij sulmi.
Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.