Një kandidat reformist fitoi shumicën e votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Iranit dhe do të përballet me një konservator të vijës së ashpër në balotazhin e javës së ardhshme.
Asnjë nga katër kandidatët nuk arriti të sigurojë më shumë se 50% të votave në zgjedhjet e së premtes, duke çuar kështu në një raund të dytë që do të mbahet më 5 korrik. Këto zgjedhje shënuan pjesëmarrjen më të ulët të votuesve për zgjedhjet presidenciale që nga krijimi i Republikës Islamike në vitin 1979.
Ligjvënësi reformator Masoud Pezeshkian dhe ish-negociatori ultrakonservator Saeed Jalili, i cili mori më shumë vota, do të përballen në balotazh, sipas zëdhënësit të komisionit zgjedhor, Mohsen Eslami.
Pezeshkian kryesoi me 42.5% të votave, i ndjekur nga Jalili me 38.6%, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA. Nga 60 milionë votues me të drejtë vote, 24 milionë votuan, duke rezultuar në një pjesëmarrje prej 40%, tha Eslami.
Rezultatet do të shqyrtohen nga Këshilli i Gardës përpara se të dy kandidatët të fillojnë sërish fushatën. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pas vdekjes së presidentit iranian Ebrahim Raisi në një aksident me helikopter më 19 maj.
Dy konservatorë u larguan nga gara një ditë para zgjedhjeve për të konsoliduar votën konservatore. Pezeshkian ishte i vetmi kandidat reformator pasi shumë pretendentë u ndaluan nga Këshilli i Gardës. Procesi zgjedhor iranian është dëmtuar nga mospjesmarrja e votuesve, duke ulur legjitimitetin popullor dhe demokratik të institucioneve.
Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e fundit legjislative dhe presidenciale ka shkaktuar shqetësime. Në mars, pjesëmarrja në zgjedhjet legjislative ishte më e ulëta që nga viti 1979. Ayatollah Ali Khamenei u bëri thirrje iranianëve të votojnë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes për shtetin dhe reputacionin e Republikës Islamike.
Sina Toossi, një analist iranian, sugjeroi se leja e Pezeshkian për të kandiduar mund të jetë një strategji për të rritur pjesëmarrjen e votuesve dhe për të krijuar një proces zgjedhor më dinamik.
“Kjo lëvizje mund të shihet si një strategji për të krijuar një proces zgjedhor më dinamik dhe më tërheqës, duke inkurajuar kështu pjesëmarrje më të madhe publike,” tha ai për CNN.