Vendosni fjalën kyçe....

Vlorë, zaptoi plazhin e Lungomares, procedohet administratori, hiqen 120 çadra dhe shezlongë


Në kuadër të operacionit policor  “Plazh i lirë” është bërë i mundur lirimi i hapsirës në plazhin e Lungomares në Vlorë.

Si pasojë janë sekuestruar 120 çadra dhe shezlongë ku është nisur procedimi penal për shtetasin I. B., 55 vjeç administrator i subjektit.

NJOFTIMI I POLICISË

“Policia e Vlorës, kontrolle në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe, për pushuesit. Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në Lungomare, Vlorë.

Procedohet penalisht administratori i subjektit të paregjistruar në organet tatimore, i cili zuri hapësirën publike në plazh, duke vendosur pa lejen përkatëse, çadra dhe shezlogë.

Sekuestrohen 120 çadra dhe shezlongë. Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, nga Komisariati i Policisë Vlorë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. B., 55 vjeç, banues në Vlorë.

Shërbimet e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Vlorë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 120 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në vendin e quajtur “Lungomare”.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme. Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojë intensivisht në qarkun Vlorë”.