Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Sulmuesi në Ambasadën izraelite ishte i trajnuar mirë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se rritja e nivelit të rrezikut të sigurisë ka të ngjarë që të mbetet në fuqi deri më 2 korrik, duke iu referuar incidentit ku një sulmues plagosi një polic para Ambasadës izraelite në Beograd një ditë më parë.

“Mendoj se do të zgjidhin gjithçka deri të martën dhe më pas gjithçka do të jetë në rregull”, tha Vuçiç për TV Prva.

Niveli i kërcënimeve të sigurisë nga terrorizmi – që u ngrit një ditë më parë – nënkupton shtim të pranisë policore.

Vuçiq po ashtu tha se “sulmuesi ishte jashtëzakonisht i trajnuar mirë” dhe ai sulmoi policin me hark me shigjeta, duke pasur harkun në çantën e tij, “në mënyrë që sulmi të ishte krejtësisht i papritur”.

Gjatë sulmit në Ambasadë, sulmuesi u vra nga polici që u plagos. Gjendja shëndetësore e policit të plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha për televizionin publik serb se dy persona janë arrestuar, duke shtuar se “terrorizmi nuk mund ta mposhtë shtetin”.

Ai tha se aksioni policor po vazhdon në mbarë Serbinë dhe mbrëmë disa lokacione janë kontrolluar dhe dhjetëra persona janë marrë në pyetje.

“Prokuroria do të vendosë se si do të veprohet”, tha Daçiq, duke shtuar se “sinagoga në Beograd ka të ngjarë të ketë qenë caku i parë i sulmuesve”.

Sulmuesi i vrarë u identifikua si Millosh Zhujoviç, i cili sipas Daçiçit, ishte nga Mlladenovaci dhe ishte konvertuar në islam.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL