Vendosni fjalën kyçe....

Audituesja e KLSH dëshmon mbi koncesionet e sterilizimit në shëndetësi: Nivel i lartë devijacioni


Audituesja e KLSH, Beunilda Zenelaj, dëshmoi në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, duke u ndalur tek sterilizimi.

Ajo vuri në dukje se gjatë vitit 2022, për ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake, është përdorur një shumëllojshmëri setesh për të njëjtën tipologji kirurgjikale.

Sipas Zenelajt, shifrat tregojnë se në Spitalet Universitare janë kryer 15,339 ndërhyrje, në Spitalet Rajonale 8,708 ndërhyrje dhe në spitalet bashkiake 55 ndërhyrje.

“Niveli i lartë i deviacioneve, ku për të njëjtën tipologji kirurgjikale përdoren nivele të ndryshme të kompleksitetit të seteve:

– 52 % të rasteve në spitalet universitare

– 48.5 % të rasteve në spitalet rajonale

Kjo tregon mangësitë në përfshirjen e kirurgjive sipas tipologjisë, llojit të seteve, gjë e cila shoqërohet me rritje të shpenzimeve referuar çmimeve sipas kompleksitetit të seteve.

Rikonfigurimi i tyre në vitin 2020, nuk ka minimizuar problematikën e evidentuar edhe në auditimin e mëparshëm të kryer nga KLSH”, tha audituesja e KLSH, Zenelaj.

Gjatë dëshmive në Komisionin Hetimor  që drejtohet nga Albana Vokshi,ka rezultuar se pavarësisht shtimit të numrit të analizave check up në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021:

– sëmundjet kronike janë shtuar me 8,603 raste,

-vlera e rimbursimit të barnave për shkak të rritjes së sëmundshmërisë dhe kompleksitetit të tyre me 1,184,831 mijë lekë më shumë;

-rritja e numrit të shtrimeve në spitale me 18,979 raste më shumë,

-rritja e vizitave ambulatore në Spitalet Universitare dhe Bashkiake me 123,354 raste më shumë etj.,

KLSH ka arritur në konkluzion se efektet e masës profilaktike “Kontrolli Mjekësor Bazë”, nuk janë reflektuar në rezultatet konkrete, në uljen e sëmundshmërisë së popullatës, duke cënuar efektshmërinë e përdorimit të këtyre fondeve.