Vendosni fjalën kyçe....

Figurat e politikës reagojnë për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare: U shua një monument i letërsisë shqipe


 

Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh të letërsisë shqipe ka bërë që shumë personazhe të botës së politikës të reagojnë.

Përveç ngushëllimeve, të panumërta kanë qënë dhe mirënjohjet për kolosin e letërsisë shqipe.

Kryeministri Rama shkruan se Kadare ka qënë një monument i madh i kulturës shqiptare.

Ndër të tjera Rama shpreh mirënjohjen e tij ndaj Kadaresë, ku përveç se e quan shkrimtarin  një monumet të letërsisë shqipe, gjithashtu thotë se Kadare i ka ngritur nje monument fantastik gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë.

Reagimi i plotë:

Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.

Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.

Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!

Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

“Mendimin tuaj,

që ëndërron në trurin e butë,

si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,

do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;

gjersa të ngopem, idhnak e brutal.”

Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më.

Ish-kryeministri Sali Berisha iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave, Ismail Kadare.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Berisha thekson se dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Berisha thekson se në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave”.

REAGIMI I BERISHËS

“Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare.

Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laurat i çmimeve me prestigjioze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.

Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin”! #sb

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar gjithashtu  në lidhje me ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Ai tha se kombi shqiptar humbi gjeniun e madh të letrave.

Reagimi i plotë:

“Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve.

Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!”, shkruan Meta.

Reagimet nuk munguan as nga Presidenti Bajram Begaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror.

Reagimi i plotë: 

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.

Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi kreu i shtetit”, shkruan Begaj.

Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

“Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë”, shkruan Basha, ndërsa shton se kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar.

Reagimi i plotë:

“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.

Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX”, shkruan Basha.

Për vdekjen e Kadares, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ku shpreh se Kadare ishte gjeniu shqiptar, i cili veprën e vet ia kushtoi vendit e kombit.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”, thotë ajo.

Presidentja thotë se Kadare ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”, ka theksuar ajo.

Osmani në reagim ka shtuar se “Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi”.

“Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”. Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, nënvizoi ajo.

Në reagim, Osmani thekson se “Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit”.

“Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare”, shkruan Osmani.

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, mbylli sytë përgjithmonë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ismail Kadare është shkrimtar, personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Pjesë e reagimeve ka qënë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili u shua sot në moshën 88 vjeçare, në Tiranë.  

“Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, shkruan Albin Kurti.