Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kryeministri i Maltës nën akuzë për koncensionet në shëndetesi


Kompania e falimentuar amerikane “Steward Health Care” i dërgoi 7.6 milionë euro (8.1 milionë dollarë) një firme zvicerane që i pagoi tarifat e konsulencës ish-kryeministrit maltez Joseph Muscat, i cili tani është në gjyq për korrupsion.

Pikat kryesore

  • Drejtuesit e lartë në Steward Health Care nënshkruan pagesat për një firmë zvicerane të implikuar në një skandal të madh korrupsioni në Maltë.
  • Një pjesë e parave të paguara nga kompania e falimentuar e spitalit amerikan ishin të destinuara për një biznesmen pakistanez, i cili vepronte si ndërmjetës në kontratën publike tashmë të anuluar të dhënë kompanisë.
  • Hetimi penal tha se Steward kishte përdorur kompaninë zvicerane për të krijuar një “fond të mbështetjes politike” për ish-kryeministrin dhe zyrtarë të tjerë.

Drejtuesit e lartë në kompaninë amerikane “Steward Health Care” nënshkruan personalisht miliona euro pagesa për një kompani zvicerane të dyshuar për dhënie ryshfeti ndaj ish-kryeministrit të Maltës Joseph Muscat, tregojnë emailet e zbuluara.

Nuk ka asnjë provë të drejtpërdrejtë që Steward e dinte se pagesat për kompaninë zvicerane, Accutor, përfunduan në ryshfetet e supozuara. Por faturat treguan se ato shpesh renditeshin si pagesa nëpërmjet kompanive të tjera, kalonin si shpenzime për avionët e kompanisë ose si pagesa të konsulencës politike, duke ngritur pyetje se pse ishte e nevojshme.

Muscat dhe mbi dy duzina zyrtarw e ish-zyrtarw të tjerë u akuzuan muajin e kaluar për akuza korrupsioni në lidhje me një kontratë shumë miliardë eurosh që Steward mori përsipër në vitin 2018 për të rinovuar dhe menaxhuar spitalet publike. Ata të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Joseph Muscat, ish-kryeministër i Maltës

Në prill, një kallëzim penal maltez pretendonte se Steward kishte përdorur Accutor dhe firma të lidhura me të për të krijuar një “fond mbështetës politik”, i cili shmangu paratë nga kontrata e spitalit te Muscat dhe dy zyrtarë të lartë.

Hetimi, i kryer nga Gjykata e Magjistraturës së Maltës, çoi në akuza kundër Muscat dhe zyrtarëve të tjerë. Steward Malta dhe Accutor janë ndër listën e subjekteve të rekomanduara për ndjekje penale, por nuk janë akuzuar zyrtarisht në gjykatë.

Amerikanwt e Steward nuk u rekomanduan për akuza. Shefi ekzekutiv i saj ishte në listë, por ai nuk është akuzuar.

Steward ka thënë se “kundërshton ashpër” çdo sugjerim se u jepte favore financiare zyrtarëve maltezë dhe tha se Accutor u punësua si “konsulent i menaxhimit të biznesit” për të ndihmuar në “rregullimin” e kontratës së tij spitalore.

Emailet e zbuluara ofrojnë një pasqyrë të paraportuar më parë mbi shumat dhe kohën e pagesave të Steward për Accutor, të cilat arritën në afërsisht 7.6 milionë euro (8.1 milionë dollarë) midis viteve 2018 dhe 2020.

Kjo shifër përfshinte tarifat mujore prej 80,000 eurosh (85,000 dollarësh),s të cilat emailet e brendshme tregojnë se ishin të destinuara për një biznesmen pakistanez të quajtur Shaukat Ali dhe djalin e tij Asad Ali, të cilët ishin të punësuar nga Accutor si konsulentë.

Hetimi kriminal maltez tha se familja Ali kishte përfituar nga kontrata e spitalit, qw u anulua vitin e kaluar për akuzat për mashtrim dhe se Shaukat Ali kishte punuar ngushtë me krahun e djathtë të Muscat, Keith Schembri. Hetimi rekomandoi akuza për Ali, por nuk ka asnjë të dhënë që ai të jetë akuzuar.

I kontaktuar nga OCCRP, Ali nuk pranoi të komentojë për shkak të procedurave ligjore në vijim.

“Kam thënë të vërtetën dhe do ta provoj në gjykatë”, pretendoi ai.

Asad Ali (djathtas) dhe avokati i tij, Shazoo Ghaznavi (majtas)

Emailet tregojnë se shumë nga pagesat janë miratuar personalisht nga një ekzekutiv i lartë i Steward, Armin Ernst. Ernst nuk iu përgjigj kërkesës së OCCRP për koment.

Të dhënat e transaksioneve të gjetura në email tregojnë se disa nga pagesat e Steward për Accutor janë bërë në të njëjtën kohë që Accutor dhe një kompani tjetër e lidhur po paguanin tarifat e konsulencës te Muscat. Tarifat që mori Muscat janë tani në qendër të gjyqit të tij për korrupsion.

Muscat ka deklaruar më parë se pagesat ishin për punë konsulence tw ligjshme që nuk kishin lidhje me kontratën e spitalit. Ai nuk pranoi të komentonte për këtë shkrim, duke përmendur një urdhër gjykate.

“Unë mohoj vërtetësinë e pretendimeve që ju citoni dhe kjo do tregohet në gjykatë në kohën e duhur gjatë procesit,” tha ai në një email.

Protestuesit kasnë dalë vazhdimisht në rrugët e Maltës që prej shpërthimit të skandalit, duke kërkuar që Muscat dhe zyrtarë të tjerë të dyshuar të korruptuar të mbajnë përgjegjësi. Mbështetësit e Muscat kanë organizuar kundwrprotestat e tyre, duke këmbëngulur se akuzat janë të politizuara.

Steward i tha OCCRP se ajo kishte “hyrë në Maltë me mirëbesim dhe ka qenë vazhdimisht transparente dhe e pwrqendruar në ofrimin e vlerës maksimale për pacientët dhe taksapaguesit”.

“Ne mohojmë kategorikisht çdo akuzë për keqbërje dhe do mbrohemi fuqishëm,” tha kompania amerikane.

Roli i Ali në marrëveshjen e Steward

Në vitin 2015, Malta ra dakord të paguante 2.1 miliardë euro (2.2 miliardë dollarë) për një grup të sapoformuar kompanish të quajtur Vitals Global Healthcare (VGH) për të rinovuar tre nga katër spitalet publike të Maltës.

Tre vjet më vonë, pronësia e VGH iu transferua Steward dhe u riemërua Steward Malta. Emailet e zbuluara tregojnë se Ali ishte çelësi për marrjen e kontratës nga Steward.

Në një mesazh nga nëntori 2017, Ernst – shefi ekzekutiv i degës ndërkombëtare të Steward Health Care – shkroi se ai dhe shefi ekzekutiv i Steward, Ralph De La Torre “shtrënguan duart” me Shaukat Ali dhe djalin e tij Asad, të cilët ai i tregoi si “2 shtyllat kryesore. ”

“Ne e siguruam njëri-tjetrin se jemi në këtë së bashku dhe se do kujdesemi për njëri-tjetrin,” shkroi Ernst, i cili më parë kishte shërbyer edhe si shef ekzekutiv i VGH.

“Ju lutemi mbani mend se pa ta, ne nuk do kishim asnjë mundësi që të hynim nw Maltë dhe shumë nga perspektivat tona janë të lidhura me marrëdhëniet dhe përpjekjet e tyre.”

Ernst tha se ai dhe CEO i Steward, Ralph De La Torre “shtrënguan duart” me Shaukat Ali dhe djalin e tij për marrëveshjen e Maltës

Shaukat Ali mori një pasaportë në Maltë dhe punoi ngushtë me Schembrin, ish-shefin e kabinetit të Muscat, tha hetimi.

“Aty ku gjen Shaukat Ali, do gjesh edhe Keith Schembrin”, thuhej në të.

Schembri nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Shaukat Ali i tha OCCRP se ishte i përfshirë në bisedime me administratën e Muscat mbi planet e privatizimit që çuan në kontratën e spitalit. Por ai ka mohuar vazhdimisht të ketë ndonjë aksion financiar në kontratën e spitalit.

Emailet e marra nga gazetarët tregojnë se ai megjithatw mund të ketë një rol më të madh në kompanitë VGH. Në një email të vitit 2017, Ernst i tha De La Torre se Ali dhe i biri mbajtën një “60% të heshtur”. Në një mesazh tjetër, dërguar në një zinxhir emailesh të vitit 2022, Ernst e përshkroi Ali-n si një “aksionar të heshtur të VGH”.

I kontaktuar nga gazetarët, Ali tha: “Unë kurrë nuk kam qenë pronar dhe as drejtor i VGH ose ndonjë prej degëve të saj ose kompanive të lidhura me të”.

Asad Ali nuk pranoi të komentojë.

Ernst e përshkruan Shaukat Aliun si një aksioner të fshehur dhe shpjegon rrjedhën e pagesave tek Accutor

Steward i bën pagesa të rregullta Ali-t

Emailet tregojnë se Steward po i paguante Accutor 80,000 euro (86,000 dollarë) në muaj, të cilat sipas shkëmbimeve të emaileve ishin të destinuara për Ali-n dhe djalin e tij.

Në një shkëmbim të janarit 2020, për shembull, Ernst i kërkoi kompanisë që të bwnte gati nw kohw pagesat për një marrës të paspecifikuar përpara një takimi në Madrid: “Më është dërguar një shënim prej tyre se nuk janë paguar që nga shtatori. A mund t’i përgatisim në kohë pagesat për ta?” ai shkroi.

I pyetur nga shefi financiar i kompanisë se kujt i referohej, Ernst shkroi, “këta janë konsulentët tanë politikë. Emri është Ali.”

Një tjetër punonjës në departamentin e financave ngriti shqetësime, duke vënë në dukje se marrëveshja e konsulencës në dosje për Ali-n ishte “shumë e hapur”. Por Ernst hodhi poshtë pyetjet në lidhje me rrezikun dhe departamenti i financave konfirmoi se një pagesë prej 240,000 eurosh (273,600 dollarë) ishte nisur për Accutor për t’u paguar për tre muaj.

Rreth katër muaj më vonë, në maj, Ernst i kërkoi zv.presidentit të Steward-it për financat nëse kompania ishte “nw rregull me pagesat e konsulencës pwr Ali”.

Zv.presidenti kërkoi sqarime: “Më falni, do duhet të më kujtoni… kush është Ali? A kemi një dokument angazhimi apo faturë apo diçka nga e cila duhet të paguajmë?”

“Është një kontratë konsultimi me një faturë mujore që i paguhet kompanisë zvicerane. Unë mendoj se është rreth 80.000 dollarë në muaj. A mund të shënohet si Accutor?” u përgjigj Ernst.

Punonjësit e departamentit të financave cituan miratimin nga drejtuesit e lartë të Steward për pagesat ndaj Ali-t

Kontrata në bazë të pagesave u nënshkrua në nëntor 2017 me STE Health Co, një kompani tuniziane, pas sw cilws sipas hetimit ishin Ali dhe i biri. (OCCRP nuk mund të merrte të dhënat e korporatës për STE.)

Kontrata ofronte gjithashtu një bonus prej 1 milion eurosh (1.1 milion dollarë) nëse Steward merrte koncesionin e spitalit brenda dy muajve dhe 1 milion të tjerë për dy arritje të tjera.

Në një zinxhir të mëvonshëm emailesh, Ernst shpjegoi se pagesat u kaluan nga STE në Accutor me kërkesë të Ali-t.

Në gusht 2020, Steward i dha fund marrëveshjes me Accutor, pa sqaruar arsyet. Emailet dhe të dhënat e transaksioneve tregojnë se Steward më pas filloi të bënte pagesa për një kompani tjetër zvicerane, Canberra International, e kontrolluar nga djali i Ali-t, Asad Ali, të cilin autoritetet malteze e akuzuan për ryshfet për marrëveshjen e spitaleve në qershor. Asad Ali nuk pranoi të komentonte sepse procedurat ishin në vijim.

Sipas raporteve të brendshme financiare, Steward i pagoi Canberra-s rreth 450,000 euro (517,500 dollarë) midis 2021 dhe 2022 nw atë që u rendit si zhvillim biznesi.

Pagesat ndaj Muscat

Muscat dha dorëheqjen si kryeministër në janar 2020 nën presionin e protestave masive për vrasjen e gazetares dhe aktivistes kundër korrupsionit Daphne Caruana Galizia.

Pak më shumë se një javë pas dorëheqjes së tij, më 22 janar, Muscat nënshkroi një kontratë me Spring X Media AG, e cila ishte në pronësi të një avokati pakistanez të quajtur Wasay Bhatti, i cili gjithashtu zotëron Accutor. Kompania premtoi të paguajë Muscat me 15,000 euro (16,000 dollarë) në muaj për 36 muaj. Të paktën dy nga këto pagesa kanë ardhur nga Accutor.

Bankat ndaluan pagesat nga Spring X Media dhe Accutor në qershor 2020 pasi i gjetën të dyshimta, sipas dëshmisë në hetimin penal katërvjeçar që përfundoi këtë prill.

Hetimi penal pretendoi se Steward kishte përdorur Accutor për të krijuar një “fond të mbështetjes politike” dhe “përdori para të shmangura nga koncesioni për të financuar pagesat për ose në emër të Muscat, Schembri dhe ish-ministrit Konrad Mizzi, i cili gjithashtu nënshkroi një kontratë konsulence e lidhur me Accutor në 2020.

“Mundësia që të tre politikanët të krijojnë marrëdhënie të pavarura me të njëjtin grup të huaj kompanish gjatë të njëjtit afat kohor pa pasur një shoqatë të përbashkët, konsiderohet aq i papërfillshëm sa ne e përjashtojmë mundësinë,” thuhet në hetim.

Mizzi dhe Schembri nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Steward dhe Accutor nuk janë akuzuar, megjithëse hetimi rekomandoi akuza kundër kompanive të Steward në Maltë dhe Accutor.

I kontaktuar nga gazetarët, pronari i Accutor, Wasay Bhatti, tha: “Siç jeni në dijeni, unë mund të jem subjekt i procedimeve në të ardhmen e afërt. Për këtë arsye parapëlqej të mos komentoj pyetjet tuaja. Çdo deklaratë që unë e konsideroj të arsyeshme do bëhet nga unë në gjykatë.”

E-mailet e zbuluara dhe të dhënat elektronike të Steward tregojnë se në të njëjtin muaj që pagesat e Muscat u bllokuan, Steward i dërgoi Accutor 400,000 euro (455,840 dollarë) nga llogaria e tij në Bankën e Amerikës, të cilat u përshkruan në një zinxhir emailesh si një “rrjeti Ali” për të mbuluar pesë muaj të pagesat e konsulencës.

Steward dërgoi 400,000 euro për Accutor përmes llogarisë së kompanisë në Bankën e Amerikës në qershor 2020

Pagesat e tjera për Accutor ndryshonin shumë në kohë dhe shuma. Pesëmbëdhjetë pagesa që arrijnë në 5.3 milionë euro (5.7 milionë dollarë) – duke përfshirë të ashtuquajturat “pagesat për arritjet e rëndësishme” të bëra për arritjen e qëllimeve specifike – janë bërë vetëm në vitin 2018, sipas një fletëllogaritëse Excel të gjetur në email.

Një tabelë në një dokument tjetër listonte shtatë pagesa prej 125,000 eurosh (142,500 dollarë) secila, të kryera në 2019 dhe 2020, dhe një faturë për shërbimet e këshillimit të Accutor nga një kompani e lidhur për të njëjtën shumë në dhjetor 2019.

Këto pagesa duket se mbivendosen me datat dhe shumat e tetë pagesave që hetimi penal maltez tha se shkuan në “fondin e mbështetjes politike” për Muscat dhe zyrtarë të tjerë.

Hetimi tha se pagesat “janë financuar gjithashtu drejtpërdrejt nga paratë e paguara pwr Steward nga [Qeveria e Maltës] për operacionet e spitaleve malteze dhe mbivendosen me pagesat për Joseph Muscat”.

Katër pagesa të tjera që Steward i bëri Accutor-it në vitin 2019 u renditën si “shpenzime fluturimi” në një dokument të dorëzuar auditorit të Steward EY. Ata arritën në 618,000 dollarë (710,700 dollarë).

Në zinxhirin e postës elektronike të vitit 2022, dy vjet pasi Steward ndërpreu kontratën e konsulencës me Accutor, Ernst i Steward kërkoi një listë të pagesave të Accutor-it në mënyrë që t’i “caktonte ato siç duhet”.

“Më duhet të supozoj se në një moment do duhet t’i llogarisim ato në hollësi,” shkroi ai në emailin e vitit 2022.

Një email i veçantë në të njëjtën ditë përvijonte arsyet pse Accutor ishte angazhuar, që përfshinte veprimin e kompaninë në një rol të ngjashëm me dorëzaninë për pagesën e koncesionit ndaj VGH, si pritëse për pagesat mujore të Ali-t, kryerjen e shërbimit të listës së pagave dhe veprimit  “në një kapaciteti lobues”.

Në mesazh, Ernst iu referua një shkrimi të Times of Malta në lidhje me pagesat e bëra për Accutor nga VGH. Ai më pas ia përcolli emailin këshilltarit të përgjithshëm të Steward, duke kërkuar këshilla ligjore.

“Duket sikur problemi i mëposhtëm nuk do mbyllet së shpejti,” shkroi Ernst.

*Kontrolli i fakteve u sigurua nga Zyra e Kontrollit të Fakteve OCCRP

VINI RE: Ky material është proëwsi intelektuale e OCCRP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani