Vendosni fjalën kyçe....

Protestat Ultra-Ortodokse në Jerusalem kundër regjistrimit në ushtrinë izraelite bëhen të dhunshme


Mijëra protesues ultra-ortodoksë hebrenj u përleshën me policinë izraelite në qendër të Jerusalemit të dielën, gjatë një proteste kundër një vendimi të Gjykatës së Lartë që i detyron ata të regjistrohen për shërbimin ushtarak.

Vendimi historik i javës së kaluar, i cili urdhëron qeverinë të rekrutojë burrat ultra-ortodoksë, mund të çojë në rënien e koalicionit qeverisës të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Protestuesit u mblodhën në një lagje ultra-ortodokse dhe më pas u drejtuan në qendër të Jerusalemit, ku situata u bë e dhunshme. Ata mbanin tabela kundër qeverisë, me një që thoshte “as edhe një mashkull” nuk duhet të shërbejë në ushtri.

Policia izraelite raportoi se protestuesit hodhën gurë dhe sulmuan makinën e një ministri ultra-ortodoks, duke përdorur edhe topa uji të mbushur me ujë për të shpërndarë turmën. Demonstrata vazhdonte të ishte jashtë kontrollit deri të dielën vonë.

Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e burrave dhe grave hebreje në Izrael, por partitë ultra-ortodokse kanë fituar përjashtime për ndjekësit e tyre që të studiojnë në seminare fetare në vend të shërbimit ushtarak. Kjo marrëveshje ka ngjallur pakënaqësi në publikun e gjerë, një ndjenjë që është bërë më e fortë gjatë luftës 8-mujore kundër Hamasit. Mbi 600 ushtarë janë vrarë dhe dhjetëra mijëra rezervistë janë aktivizuar, duke ndikuar jetët dhe karrierat e shumë njerëzve.

Partitë ultra-ortodokse thonë se detyrimi i burrave të tyre për të shërbyer në ushtri do të shkatërrojë mënyrën e tyre të jetesës tradicionale. Si anëtarë kryesorë të koalicionit qeverisës të Netanyahut, ata mund të detyrojnë zgjedhje të reja nëse vendosin të largohen nga qeveria në shenjë proteste.

Liderët e partive ende nuk kanë vendosur nëse do të largohen nga qeveria, një veprim që mund të jetë i rrezikshëm duke marrë parasysh popullaritetin e koalicionit të Netanyahut që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, i cili ndezi luftën percjell AP.