SPAK mbyll dosjen dhe dërgon për gjykim Gëzim Çelajn dhe grupin e tij prej 13 personash.
Ata akuzohen për trafik droge e grup të strukturuar kriminal.
SPAK dërgon për gjykim Arlind Ismajlukajn dhe Gëzim e Nerim Çelajn, Armando Memën, Dritan Metajn e Ben Dalipajn, Besnik Brokerin, Alket Dedën e Selami Lushkajn, Ksenofon Bodon, Roland Guzajn dhe Armand Papajn, Kyrylo Ponomarenko e Kostiantyn Biellon. SPAK ka vendosur dhe sekuestrimin e pasurive.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal Nr. 185/2023, kundër të pandehurve Arlind Ismajlukaj, Gëzim Çelaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, Armando Papa e Roland Guza, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/4 dhe 334 të Kodit Penal.
Gjatë hetimit të këtij procedimi, është provuar se të pandehurit si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Gëzim Çelaj e Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të paktën në dy raste, në ngjarjen e datës 31 Mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është sekuestruar një sasi prej 41 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe në ngjarjen e datës 14 Gusht 2023, ku është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”.
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.
Paralelisht me procedimin penal, ndaj të pandehurve dhe personave të lidhur me ta, ka filluar procedimi pasuror bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të Tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, me qëllim evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.
Në kuadër të procedimit pasuror, me dy vendime të mëparshme Nr. 27 datë 09.10.2023, dhe Nr. 13 datë 17.03.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:
Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., i themeluar më datë 26.10.2022, me administratore dhe ortake të vetme të 100% të kuotave, shtetasen TH., me objekt aktiviteti Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç;
Pasuria e paluajtshme nr. 1759, Zona kadastrale 1673, objekti ku ushtron aktivitetin shoqëria e lartpërmendur;
3 Pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, në pronësi të shtetases M.TH.,
6 Automjete të markave të ndryshme;
3 mjete lundruese tip Gomone,
Shuma monetare: 102.000 (njëqind e dy mijë) Euro, 500 (pesëqind) Paund Britanik, 50 (pesëdhjetë) Franga Zvicerane dhe afërsisht 7.000.000 (shtatë milion) Lekë, shtetasve A. I., G. Ç. dhe N. Ç.
Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm me 100% të kuotave, shtetasin G.G., si dhe të gjitha asetet e saj, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë këtu edhe 10 automjete të markave të ndryshme.