Gjykata e Apelit ka dënuar me 7 vite burg Arbër Paplekajn lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit më 21 prill 2021, katër ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Gjykata e Elbasanit e kishte dënuar më herët Paplekajn me 22 vite burg.
Apeli ndryshoi akuzën nga ‘vrasje në rrethana cilësuese’ në ‘vrasje në kushtet e tronditjes psikike”
Në vendimin e sotëm Apeli ka shpallur të pafajshëm gjashtë efektivët e repartit “Shqiponja” si dhe dy ish-zv.drejtorët e policisë Albert Nushi e Nikollaq Palla.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maji” në Elbasan më 21 prill 2021, pas një përplasjeje mes aktivistëve të PS-së, mes të cilëve edhe Pjerin Xhuvani dhe atyre të PD-së që ishin pjesë e strukturave për mbrojtjen e votës, të ngritura për zgjedhjet e 25 prillit. Paplekaj qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe më pas u vetëdorëzua në Tiranë.
Ai ka deklaruar në gjatë dëshmisë së dhënë në prokurori dhe në seancat gjyqësore se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes pasi është qëlluar më parë nga pala tjetër. Gjatë të shtënave u plagos edhe një efektive policie me një plumb në këmbë, Xhensila Sota, Kelmend Xhaferri, i grupit të Xhuvanit, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga dhe Eltjon Bodinaku.
Asokohe kreu i PD-së Basha akuzoi prokurorin e çështjes Alfred Shehu për manipulimin e provave që u gjetën në vendngjarje dhe ish-drejtorin e policisë së Elbasanit Albert Nushi.
Gëzhoja nga armë të ndryshme, fotokopje kartash identiteti, bllok shënimesh (Çfarë u gjet në vendin e ngjarjes)
Një shkrim i gazetarit Gjergj Erebara një javë pas ngjarjes së rëndë hidhte dyshime të forta mbi rolin e policisë dhe fshehjen e provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Në makinën e drejtuar nga shtetasi Mehmet Greca janë gjetur lista me emra dhe fotokopje kartash ID, bllok shënimesh ku shkruhej “pagesa” si dhe një dokument format A4 me përshkrimin “formular patronazhi”, bashkë me disa fletëpalosje të Partisë Socialiste.
Sipas dokumenteve gjyqësore të para nga BIRN, Policia dhe Prokuroria kishin informacione mbi provat e gjetura dhe që sugjeronin se kishin të bënin me një krim zgjedhor, por dështuan të bëjnë arrestime apo të ngrenë akuza ndaj personave në fjalë, përfshirë një person me nofkën Met Dafllaku, emri i të cilit ishte shkruar mbi bllokun me shënimin “pagesa”.
Provat e gjetura në vendngjarje nuk e penguan drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit asokohe, Ardi Veliu të deklaronte në një konferencë për shtyp të mbajtur një ditë pas ngjarjes, se nuk kishin gjetur materiale zgjedhore “që shërbejnë për shit-blerje të votës”.
Sipas deklaratës së Veliut, një grup ish-oficerësh policie të njohur si “Grupi i Mbrojtjes së Votave” të Partisë Demokratike, “i bllokuan rrugën automjetit të fuoristradë tip ML të drejtuar nga shtetasi me inicialet M.G. duke i prerë rrugën.” Policia e Shtetit e shpalli bllokimin e shtetasit Mehmet Greca si “heqje e paligjshme e lirisë”.
“Nga këqyrja e automjetit Mercedez tip ML pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundraligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshin për shitblerje të votës,” deklaronte Veliu në konferencën për shtyp të datës 22 prill.
Por ndryshe nga deklarata, dokumenti i referimit të veprës penale nga Policia për Prokurorinë e Elbasanit shkruante: “Në sedilen e djathtë përpara të këtij mjeti gjendet një çantë dore kafe, brenda së cilës gjenden […] një fletore me vija me shënim në kapak Met Dafllaku pagesë, brenda në 6 fletë shënime me emra dhe nr. id, format A4 me përshkrim formular patronazhi me tre fletë, 5 formate A4 me kopje kartash identiteti dhe pasaportash biometrike…”
Dokumenti policor pas këqyrjes së vendit të ngjarjes tregonte se në përplasjen e përgjakshme që ndodhi në sytë e dy drejtuesve të policisë së Elbasanit dhe një numri policësh u përdorën disa pistoleta, vërtetuar kjo nga larmishmëria e markave të gëzhojave të gjendura në vendngjarje, si dhe duket se është qëlluar nga pozicione të ndryshme.
Raporti i Policisë pohonte se në vendin e ngjatjes janë gjetur 7 gëzhoja të markës GFL 9 mm Luger si dhe 9 gëzhoja PPU 45 të kalibrit 11.2, ku këto të fundit u gjetën në gjashtë pozicione të ndryshme, tre gëzhoja S&B dhe një fishek 1 Maxx Tech. Gëzhojat e gjetura në terren sugjerojnë përdorimin e minimalisht tre llojeve të ndryshme të armëve, por policia ka sekuestruar vetëm armën e dorëzuar nga i akuzuari për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, Arbër Paplekaj.
Gjithashtu, prania e policisë në vendngjarje nuk e pengoi një nga personat e përfshirë në konflikt, Klement Xhaferrin të largohej. Xhaferri është shpallur aktualisht në kërkim policor, por policia nuk ka gjetur ende vendndodhjen e tij.
Sipas deklaratës së 22 prillit të Veliut, në vendin e ngjarjes, para, gjatë dhe pas përplasjes së armatosur gjendeshin dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Qarkut.