Vendosni fjalën kyçe....

Bulqizë, mbante armë zjarri pa leje dhe municion luftarak, në pranga 30-vjeçari 


Foto ilustruese

Një shtetas 30 vjeçar nga Bulqiza me iniciale R.Gj., është vendosur në pranga pasi në banesë iu gjet një armë zjarri pa leje.

Në bazë të kontrolleve të kryera policia sekuestroi pistoletën, municion luftarak dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.

NJOFTIMI I POLICISË

“Si rezultat i administrimit të informacioneve të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që mbajnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin R.Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Sopot, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të banesës së 30-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 24 copë fishek, si dhe një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale”.