Të paktën 116 persona, shumë prej të cilëve gra dhe fëmijë, humbën jetën gjatë një rrëmuje në një tubim të madh fetar në veri të Indisë, njoftuan zyrtarët të martën. Incidenti ndodhi kur pjesëmarrësit nxituan të largoheshin nga një tendë e improvizuar pas një ngjarjeje me figurën hinduse Bhole Baba, raportuan mediat lokale. Sipas autoriteteve, temperaturat e larta dhe mungesa e ajrit brenda tendës mund të kenë qenë shkaktarët e rrëmujës.
Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Aligarh Range Shalabh Mathur tha se numri i të vdekurve ishte 116.
Një grua ngushëllohet ndërsa vajton humbjen e djalit të saj gjatë një festivali fetar në Indi, 2 korrik 2024.
Rrëmuja vdekjeprurëse ndodhi në fshatin Hathras, rreth 350 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Uttar Pradesh, Lucknow. Zyrtari policor Rajesh Singh tha se festivali fetar ishte mbipopulluar, pasi rreth 15,000 njerëz u mblodhën për ngjarjen që kishte leje për vetëm 5,000 persona.
“Njerëzit filluan të bien njëri mbi tjetrin. Ata që u shtypën në turmë, vdiqën”, tha dëshmitari Shakunatala Devi për agjencinë e lajmeve Press Trust të Indisë.