Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, arriti këtë të martë për vizitë në Kiev, për herë të parë që nga momenti kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Zëdhënësi i tij, Zoltan Kovacs, tha se Orban do të diskutojë për “paqen evropiane” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Shefi i shtypit i Orbanit konfirmoi për agjencinë hungareze të lajmeve MTI se kryeministri kishte mbërritur në kryeqytetin ukrainas mëngjesin e sotëm për bisedime. Bertalan Havasi tha se tema kryesore e takimit do të jetë mundësia për ndërtimin e paqes ndërsa Ukraina lufton pushtimin rus dhe shtoi se Orbán dhe Zelensky do të diskutojnë gjithashtu çështjet aktuale që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe hungarezo-ukrainase.
Orban njihet si aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në Bashkimin Evropian dhe në mënyrë rutinore ka bllokuar, vonuar ose zbutur përpjekjet e BE-së për të ofruar ndihmën ndaj Ukrainës. Ai ka akuzuar prej kohësh Kievin për keqtrajtim të një pakice etnike hungareze në rajonin perëndimor të Ukrainës, Zakarpattia.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP