Vendosni fjalën kyçe....

“Më rrezikohet jeta, mos më ekstradoni në Shqipëri” – Lul Berisha del para gjykatës në Spanjë


Kreu i bandës së Durrësit,Lul Berisha, i arrestuar në Spanjë për llogari të drejtësisë shqiptare ka kërkuar të mos ekstradohet në Shqipëri pasi i rrezikohet jeta. Ai akuzohet se ka dhënë urdhër për vrasjen e tre personave në vitin 2005.

Berisha ka deklaruar para trupit gjykues se në Shqipëri i rrezikohet jeta pasi deri tani i janë bërë disa atentate.

Berisha është arrestuar në Alicante në vitin 2023 dhe pret ekstradimin ose jo drejt Shqipërisë.

Sipas prokurorisë, Berisha në fillim të shkurtit 2005 “është përgjegjës për gjetjen e personave të përshtatshëm për shkak të lidhjeve të tyre shoqërore dhe farefisnore për të eliminuar fizikisht një burrë, për të cilën ka pasur ndihmën e tre personave që kanë kryer aksionin më 26 shkurt 2005 rreth orës 22:00. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Koxhaj, kur të tre personat e kanë qëlluar me armë teksa po drejtonte automjetin e tij. Si pasojë e të shtënave viktima ka gjetur vdekjen, duke rënë në kanalin e rrugës, ku njëri prej autorëve e ka qëlluar sërish”.

Sipas dokumentit, Berisha, pas planifikimit dhe organizimit të vrasjes, është larguar nga Shqipëria dhe është kthyer pak ditë pas ngjarjes.

Më 27 shkurt të po atij viti, në të njëjtin qytet, ka ndodhur një shpërthim në kabinën e ashensorit të një pallati në Tiranë, kryeqytetin e vendit. Për pasojë kanë humbur jetën dy shtetas.

Bëhet fjalë për atentatin ndaj Vajdin Lamajt ku humbi jetën ky i fundit dhe miku i tij Artan Hazri.

Berisha u lirua nga burgu në vitin 2020 pasi Apeli i Gjykatës së Durrësit i uli 5 vite nga dënimi prej 25 vitesh.

Megjithatë një vendim i Gjykatës së Lartë e rrëzoi këtë vendim dhe kërkoi rikthimin e Berishës në burg për të vuajtur dënimin. Ai u shpall në kërkim nga SPAK në dhjetor të vitit 2020 pasi akuzohet për vepra të tjera penale.