Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon pa arritje takimi trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë


Një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, përfundoi pa arritjen e një marrëveshjeje të martën vonë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e akuzoi palën serbe se dëshiron zbatimin e pjesshëm të Marrëveshjes Bazë, ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, kritikoi palën kosovare për mungesën e dëshirës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonim përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë, nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe. Ne nuk i kemi parë kurrë ato vija të kuqe,” tha Bislimi pas takimit.

Petkoviç i cilësoi takimet si “të vështira” dhe shtoi se ai nguli këmbë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Një nga çështjet kyçe është pranimi i draftit të Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja. Beogradi është gati ta pranojë atë. Drafti është vendimtar dhe është hapi kryesor në drejtim të themelimit të Asociacionit,” tha Petkoviç.

Paraprakisht, Lajçak zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviçin dhe Bislimin. Bislimi tha se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel dhe se deri më 18 korrik palët do të dërgojnë komentet e tyre lidhur me planin e zbatimit të Marrëveshjes. Pas këtyre komenteve, sipas tij, pala evropiane do të nxjerrë një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u arrit në fillim të vitit 2023, por nuk është zbatuar deri tani.