Vendosni fjalën kyçe....

SPAK-u operacion me autoritetet franceze, goditet grupi kriminal në trafikun e narkotikëve, arrestohen 19 persona


SPAK në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë goditur një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës.

Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve, sekuestrimi i sasive të konsiderueshme monetare, lëndëve të ndryshme narkotike (heroinë dhe kokainë, si dhe lëndë përzierje), automjete, pajisje elektronike, etj

Po kështu vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.

NJOFTIMI I SPAK

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, bazuar në materialin e referuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar (kryesisht) procedimin penal Nr. 38, të vitit 2023, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28 pika 4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe me autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.

Rezultatet e hetimeve në Francë

Bazuar akteve që janë administruar për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, gjatë periudhës gusht-dhjetor 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim paraprak në qarkun e Albertville (73), në lidhje me veprimet e një grupi kriminal të organizuar i cili është marrë me trafikun e drogës. Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.

Hetimet e kryera, bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).

Aktivitet i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri.

Rezultatet e Hetimeve në Shqipëri

Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve, sekuestrimi i sasive të konsiderueshme monetare, lëndëve të ndryshme narkotike (heroinë dhe kokainë, si dhe lëndë përzierje), automjete, pajisje elektronike, etj.

Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, sekuestrimin e sasisë monetare prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve.

Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për një llogari bankare në euro.

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, është ekzekutuar masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për llogarinë bankare në euro, në emër të personit nën hetim R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.

Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 (dhjetë) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).

Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

       15 automjete,

  •         34.270 euro cash,
  •         1000 franga zviceriane,

         180.000 lekë të reja,

  •         9 aparate celularë,
  •         3 tableta,
  •         1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.

Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.

Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, Xhandarmërisë Franceze, si dhe Atasheut të Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Franceze në Shqipëri, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK”.