Vendosni fjalën kyçe....

Balluku inspekton detajet e fundit: Të premten hapet tuneli i Llogarasë


Në tunelin e Llogarsë janë duke u kryer punimet e fundit. Paraditen e së premtes edhe kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore do të hapet për qarkullimin e automjeteve. Me një gjatësi prej 5.9 kilometrash tuneli i Llogarasë shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut, duke rritur njëkohësisht edhe parametrat e sigurisë rrugore.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi nga afër përgatitjet e fundit që po bëhen para hapjes për qarkullimin e automjeteve të tunelit, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.

“Jemi në momentet e fundit të përfundimit të tunelit të Llogarasë. Parashikohet që pasnesër, në datë 5, ditë e premte, në orën 10, do të jetë momenti i hapjes së këtij tuneli. Sigurisht në kantier do të vazhdohet puna, pasi po dorëzohet para afatit, ashtu siç kemi bërë tashmë me të gjitha veprat tona të mëdha infrastrukturore, por tuneli i Llogarasë ka një vlerë tjetër edhe për historikun e infrastrukturës shqiptare. Unë e quaj një gur kilometrik, pasi bëhet fjalë për një tunel i cili është 5.9 kilometra i gjatë, dhe është një nga veprat infrastrukturore të kategorisë së rëndësishme përsa i përket tuneleve edhe në rang Europe. Futet në tunelet e gjatësisë së madhe”, bëri të ditur Balluku.

Zëvendëskryeministrja tha se ndërtimi i kësaj vepre është një tjetër premtim i mbajtur i cili po hapet për lëvizjen e automjeteve para afatit të parashikuar, duke shtuar se janë marrë të gjitha masat për sa i takon mirëmenaxhimit të kësaj vepre.

“Duke pasur parasysh që ky është një tunel totalisht modern nga ana e konstruksionit, por nga ana tjetër duhet të keni parasysh se është një tunel i menaxhuar në mënyrë elektronike, dixhitale. Në hyrje, në anën e Dukatit kemi të vendosur qendrën e monitorimit të këtij tuneli, një qendër totalisht e ngritur mbi dixhitalizimin që në të ardhmen mendojmë që të përdorim dhe inteligjencën artificiale për të menaxhuar të gjithë flukset e tunelit, për të kontrolluar sigurinë rrugore brenda këtij tuneli”, tha Balluku.

Drejtori i ARRSH njoftoi se në bashkëpunim me policinë rrugore është përgatitur edhe plani i menaxhimit të trafikut për muajt në vijim, kur tuneli do të jetë në funksion. “Jemi në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore. Është i përgatitur plani i menaxhimit të trafikut gjatë 3 muajve në vazhdim, përsa kohë të jetë në operim tuneli. Shpresojmë që përdoruesit e tunelit të ecin me shpejtësinë e rekomanduar nga Autoriteti Rrugor dhe Policia Rrugore. Jemi gati”, u shpreh Gjyli.

Nga ana e tij edhe kryebashkiaku Dredha tha se tuneli i Llogarasë lidh Vlorën me pjesën tjetër të bregdetit të jugut brenda një kohe shumë më të shpejtë dhe me siguri të lartë.