Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, Laert Haxhiu ekstradohet sot nga Greqia në Shqipëri


Laert Haxhiu, i akuzuar për “masakrën” e Lushnjës në 2017-ën dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, është ekstraduar sot nga Greqia në Shqipëri.

Ai ka mbërritur në Kakavijë rreth orës 14:00, i shoqëruar nga forca të shumta policie.

Haxhiu, i njohur ndryshe si “rivali i Aldo Bares, ish-kreut të bandës së Lushnjës, vrau Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën si dhe plagosi Marjus Xhepexhiun dhe Bujar Turkut në Lushnjë. Shënjestra ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

Haxhiu u arrestua në Janinë nga policia greke vitin e kaluar dhe me vete kishte një leje qëndrimi greke të falsifikuar me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

NJOFTIMI I POLICISË

“Ekstradohet drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu.

32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Falë bashkëpunimit shumë të mirë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, 32 vjeç.

32-vjeçari është sjellë në Kakavije, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi:

-Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur ne tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;

-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2020, e ka denuar me burgim të perjetshëm, per veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Si ndodhi masakra e Lushnjës, dosja hetimore e SPAK

Në dosjen e SPAK,  sqarohen me detaje dinamikat e ngjarjes së 2017. Pasditen e 11 nëntorit 2017, rreth orës 18:06, në Lagjen “Loni Dhamo”, në trotuarin përpara lokalit të shtetasit Maksim Xhepexhiu kanë qenë duke qëndruar nën shoqërinë e tyre shtetasit Jurgen Hoxha, Zamir Latifi, Marjus Xhepexhiu (djali i Maksim Xhepexhiut), Sajmo Xheliu, Kristian Shkurti, Xhulio Shkurti, ku ky i fundit është larguar nga vendi ngjarjes, për të shkuar tek berberi, disa çaste para ndodhjes së saj.

Gjatë këtij momenti, nga” Bulevardi i Palmave” për në drejtim të personave të mësipërm, ka ardhur me shpejtësi një automjet, Benz Mercedez ngjyrë gri, prej të cilit kanë zbritur tre persona me armë zjarri, dy prej të cilëve kanë hapur zjarr me armë duke shkaktuar vrasjen e shtetasve Zamir Latifi e Jurgen Hoxha si dhe plagosjen e shtetasve Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

Pas sulmit me armë zjarri, tre personat autorë të ngjarjes, të cilët nga hetimet dhe gjykimi kanë rezultuar të jenë të pandehurit Orgest Bilbili, Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi, me automjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Rreth orës 18:33 është njoftuar Salla Operative e Komisariatit Lushnje se në rrugën e fshatit Çukas Lushnje po digjej një automjet. Nga veprimet hetimore të kryera (këqyrja e automjetit), ka rezultuar se automjeti ishte i markës “Mercedes Benz”.

Gjatë këqyrjes së automjetit të djegur në fshatin Çukas Lushnje janë gjetur tre armë zjarri të dyshuara kallashnikov.

Nga akti i ekspertimit ka rezultuar që 27 gëzhoja të sekuestruar në vendin e ngjarjes janë qitur nga arma e gjetur në makinën e djegur.

Ndërsa 14 gëzhoja e tjera e gjendur në vendngjarje janë qitur nga arma e gjetur në makinën e djegur. Nga arma e tretë e gjetur në automjet, nuk ka realizuar qitje.

Nisur nga ky fakt vërtetohet që në vendin e ngjarjes kanë gjuajtur dy persona dhe se mjeti i djegur dhe armët e gjetura në të janë përdorur nga autorët për të realizuar vrasjen.

Në orën 18.06 vihet re që mjeti i cili bën manovrën e parkimit nuk parkon, por niset me shpejtësi në drejtim të vendit të ngjarjes.

Në momentin që mjeti shfaqet që të ndalojë në urë, shihet që shtetasi Zamir Latifi rrëzohet në tokë dhe mbi të kalon një person i cili gjuan dhe një herë më breshëri mbi të.

Nga kqyrja e kamerave afër vendngjarjes, ka rezultuar se para dhe pas mjetit të autorëve me shpejtësi largohen dhe dy mjete të tjera të cilat kanë qenë dhe në vendin e ngjarjes dhe pikërisht një Benz C klas Gri dhe një Ford Focus i bardhë dhe me logo ngjyrë jeshile. Duke parë që mjetet shkojnë me shpejtësi para dhe pas mjetit të autorëve lindin dyshime se këto dy mjete kanë luajtur rolin e ndihmësve të autorëve.