Amputimet e gjymtyrëve kryhen nga kirurgët kur një dëmtim traumatik si një plagë nga lufta ose një aksident shkakton shkatërrim të madh të indeve ose në raste të infeksioneve të rënda. Por njerëzit nuk janë të vetmit në kryerjen e procedurave të tilla.
Hulumtimet e reja tregojnë se disa milingona kryejnë amputim të gjymtyrëve të shokëve të lënduar për të përmirësuar mundësitë e tyre të mbijetesës. Sjellja u dokumentua në milingonat ‘marangozë’ të Floridës, emri shkencor Camponotus floridanus, një specie e kuqërremtë në kafe më shumë se 1.5 cm e gjatë që banon në pjesë të Shteteve të Bashkuara juglindore.
Këto milingona u vunë re duke trajtuar gjymtyrët e dëmtuara të shokëve të folesë ose duke pastruar plagën duke përdorur gojën ose duke e amputuar përmes kafshimit gjymtyrën e dëmtuar. Zgjedhja varej nga pika e lëndimit. Kur ishte më lart në këmbë, ato gjithmonë amputonin. Kur ishte më poshtë, kurrë nuk e amputuan.
“Në këtë studim, ne përshkruajmë për herë të parë se si një kafshë përdor amputimet e një individi tjetër për të shpëtuar jetën,” tha entomologu Erik Frank nga Universiteti i Ëürzburg në Gjermani, autori kryesor i hulumtimit të botuar të martën në revistën “Current Biology”.
“Jam i bindur se mund të themi me siguri se “sistemi mjekësor” i milingonave për t’u kujdesur për të lënduarit është më i sofistikuari në mbretërinë e kafshëve, i rivalizuar vetëm nga ai njerëzor,” shtoi Frank.
Kjo specie e bën folenë në drunjë të kalbur dhe mbron fuqishëm shtëpinë kundër kolonive rivale të milingonave.
“Nëse shpërthejnë përleshjet, ekziston rreziku i lëndimit”, tha Frank.
Studiuesit studiuan lëndimet në pjesën e sipërme të këmbës, femurin dhe pjesën e poshtme, tibinë. Lëndime të tilla zakonisht gjenden te milingonat e egra të llojeve të ndryshme, të marra gjatë përleshjeve, gjuetisë ose grabitjes nga kafshë të tjera.
Milingonat u vëzhguan në kushte laboratorike.
“Ato vendosën midis amputimit të këmbës apo shpenzimit të më shumë kohe për t’u kujdesur për plagën. Si e vendosin këtë, ne nuk e dimë. Por ne e dimë pse trajtimi ndryshon,” tha Frank.
Ka të bëjë me rrjedhën e hemolimfës, lëngu kaltërosh në të gjelbër i barabartë me gjakun në shumicën e jovertebrorëve.
“Lëndimet më poshtë në këmbë kanë një rrjedhje të rritur të hemolimfës, që do të thotë se patogjenët tashmë hyjnë në trup pas vetëm pak minutash, duke i bërë amputimet të padobishme në kohën kur mund të kryhen. Lëndimet më tej lart në këmbë kanë një rrjedhje hemolimfe shumë më të ngadaltë, duke dhënë kohë të mjaftueshme për amputime në kohë dhe duke i bërë ato efektive”, tha Frank.
Në secilin rast, milingonat fillimisht pastruan plagën, me gjasë duke aplikuar sekrecione nga gjëndrat në gojë, ndërsa gjithashtu ndoshta thithnin hemolimfën e infektuar dhe të ndotur. Vetë procesi i amputimit zgjat të paktën 40 minuta dhe ndonjëherë më shumë se tre orë, me kafshime të vazhdueshme në shpatull.
Me amputimet pas një dëmtimi në pjesën e sipërme të këmbës, shkalla e mbijetesës e dokumentuar ishte rreth 90-95%, krahasuar me rreth 40% për lëndimet e pambikëqyrura. Për lëndimet e pjesës së poshtme të këmbës në të cilat është kryer vetëm pastrimi, shkalla e mbijetesës ishte rreth 75%, krahasuar me rreth 15% për lëndimet e pambikëqyrura.
Kujdesi për plagën është dokumentuar në lloje të tjera të milingonave që aplikojnë një sekrecion gjëndror me efekt antibiotik te shokët e folesë së dëmtuar. Kësaj specieje i mungon ajo gjëndër.
Milingonat, të cilat kanë gjashtë këmbë, janë plotësisht funksionale pas humbjes së njërës.
Milingona femra u vëzhguan duke bërë këtë sjellje.
“Të gjitha milingonat punëtore janë femra. Meshkujt luajnë vetëm një rol të vogël në kolonitë e milingonave, çiftëzohen një herë me mbretëreshën dhe më pas ngordhin,” tha Frank.
Pse milingonat i bëjnë këto amputime?
“Kjo është një pyetje interesante dhe vë në pikëpyetje përkufizimet tona aktuale të ndjeshmërisë, të paktën në një farë mase. Unë nuk mendoj se milingonat kanë të njëjtën ndjesi e koncept dhimbjeje si në atë njerëzor,” tha Frank.
“Ekziston një arsye shumë e thjeshtë evolucionare për t’u kujdesur për të lënduarit. Kjo kursen burime. Nëse unë mund të rehabilitoj një punëtor me relativisht pak përpjekje, i cili më pas do bëhet përsëri një anëtar aktiv produktiv i kolonisë, ka një vlerë shumë të lartë për t’ kujdesur për të. Në të njëjtën kohë, nëse një individ është shumë i lënduar, milingonat nuk do kujdesen për të, por përkundrazi do e lënë të ngordhë,” shtoi Frank.