Vendosni fjalën kyçe....

“Presidenti ishte pak i ftohur, nuk vuan nga demenca ” – Shtëpia e Bardhë u përgjigjet kritikëve


Presidenti i SHBA Joe Biden nuk ka Alzheimer ose demencë dhe “e di se si ta bëjë punën”, u tha gazetarëve Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, pasi demokratët e rëndësishëm pranuan se shqetësimet rreth gjendjes mendore të presidentit janë “legjitime”.

Duke u shfaqur dukshëm i hutuar, Biden ngatërroi fjalët dhe luftoi për të përfunduar fjalitë gjatë debatit të javës së kaluar kundër ish-presidentit Donald Trump. Paraqitja e 81-vjeçarit është shpallur një katastrofë nga organizatat amerikane të lajmeve dhe donatorët e Partisë Demokratike, disa prej të cilëve i kanë bërë thirrje Biden të pezullojë menjëherë fushatën e tij të rizgjedhjes.

“Unë mendoj se është një pyetje legjitime të thuash: “A është ky një episod apo është diçka e shtrirë në kohë dhe që peshon?’”, tha ish-kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi për MSNBC të martën në mëngjes.

“Ne i kuptojmë shqetësimet, e kuptojmë, presidenti nuk e kaloi një natë të mirë,” u tha Jean-Pierre gazetarëve në një konferencë më vonë pasdite. Duke përsëritur shpjegimin e Biden-it se ai “ishte i ftohur ” dhe “kishte një zë të ngjirur”, Jean-Pierre këmbënguli që presidenti “di si ta bëjë punën” dhe “di si të rikthehet” pas një pengese.

Sidoqoftë, pyetjet rreth mprehtësisë mendore të Bidenit mbizotëruan në konferencën një orëshe. E pyetur nëse Shtëpia e Bardhë do nxirrte të dhëna mjekësore më të hollësishme sesa përmbledhjet e ekzaminimit të tij vjetor fizik që janë publikuar deri më sot, ajo kundëërshtoi. E pyetur nëse Biden do bënte një test të aftësive njohëse, ajo tha se një provim i tillë “nuk është i garantuar”. E pyetur nëse Biden është “i paaftë”, ajo tha “jo” dhe i tha gazetarit duke bërë pyetjen se ai “duhet ta dijë më mirë”.

I pyetur drejtpërdrejt nëse Biden vuante nga “Alzheimer, ndonjë formë e demencës ose sëmundje degjenerative” që do shpjegonte pse ai “thjesht nuk mund të jepte përgjigje koherente” gjatë debatit, Jean-Pierre u përgjigj: “Është një jo”.

Një sondazh i ri i kryer nga CBS News/YouGov në vazhdën e debatit zbuloi se 72% e votuesve të regjistruar nuk besojnë se Biden ka “shëndetin mendor dhe njohës të nevojshëm për të shërbyer si president”. Sondazhi tregoi se edhe në mesin e demokratëve rreth 45% besojnë se Biden duhet të tërhiqet nga gara.