Ndërsa Edi Rama është kujdesur të ketë primatin e nderimeve në homazhet e ditës së sotme ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, ka qënë pikërisht botuesi i këtij të fundit zoti Bujar Hudhri, që ka fshikulluar kryeministrin për sistemin shëndetësor, pasi në një prononcim për mediat jashtë TKOB, Hudhri teksa po fliste mbi shkrimtarin, preku edhe çastin fatal të tij, kur i duhej urgjent ndihma mjekësore e nevojshme.
Hudhri u shpreh se ambulanca nuk kishte impiantet e nevojshme për të trajtuar një pacient dhe se ambulanca mezi hapi rrugën për të shkuar në spital, duke thënë se kjo është alarmante, jo vetëm për Kadarenë, por për çdo qytetar që përballet me një situatë të tillë..
“Ju thatë një ambulancë pa ndihmë?
“Mu duk mua, se unë kam parë që ambulancat duhet të kenë impiante, mu duk sikur s’kishte. Ndoshta gaboj. Ai rreziku sot në Shqipëri, ty s’të hapin rrugën, është fatkeqësi. Isha me një shofer që thonte kjo është e përditshme. Kjo është alarmante, nuk është vetëm për Kadarenë, por për secilin që ka një hall të tillë”, tha Hudhri.
Pas kësaj deklarate, Brataj doli në një reagim për mediat duke thënë se ky pretendim nuk është i vërtetë dhe se ambulanca që ka marrë Kadarenë i kishte të gjitha kushtet.
Brataj tha se nuk e di nëse një botues mund ta vlerësojë këtë gjë, ndërsa e ‘shigjetoi’ duke i thënë se mbase s’ka pasur syzet pasi Kadare ka marrë të gjithë ndihmën mjekësore sipas protokollit nga momenti i mbërritjes së ambulancës deri në spital kur nuk u bë dot asgjë për ta rikthyer në jetë për shkak të arrestit kardiak.
“Sa herë ka qenë e nevojshme kemi qenë prezent. Kam pasur një raport të tillë që për çdo isha prezent, nga interesimi që unë bëra, ka shkuar ekipi që ndodhej te qendra shëndetësore nr.8 që është pas shtëpisë. E ka gjet në kushte arresti, nga shtëpia në spital ka marrë 3 ampula të adrenalinës sipas protokollit, ventilimi dhe është dërguar një ekip i dytë në vendngjarje. Ekipi i parë është shoqëruar drejt QSUT ka nisur trajtimi sipas protokollit të arrestit kardiak deri në një kohë që kanë vlerësuar që zemra nuk dha asnjë shenjë për tu kthyer në jetë. Përgënjeshtroj çdo deklaratë, besoj është dëshmitar edhe vetë familja Kadare që kanë falënderuar shërbimin e urgjencës herë pas herë dhe në veçanti atë ditë që ndodhi fatkeqësia. Me shenja jeta nuk bëhet reanimacioni kardiopulmonar.
E kemi ndjekur gjendjen e tij, kam qenë i përditësuar, ka pas ekip mjekësh që bënin vizita të rregullta sa herë shfaqej shqetësimi më i vogël. Hudhri vetëm të mos ketë pasur syze, se defilibratori ishte i montuar dhe ekipi mjekësor që bënte masazhin kardiak edhe gjatë transportit drejt spitalit. Hudhri ka ardhur më vonë pasi e ka gjetur ekipin në vendngjarje. Është zbatuar protokolli për të shpëtuar jetën e zotit Kadare.
Ambulanca ka aspiratorin, çantën me medikamente dhe sete të tjera që përdoron sa herë është e nevojshme, dy bombola oksigjeni 10 litroshe, dy bombola 2 litroshe që merret në rast urgjence që në banesë, ka një barelë, karrocë me rrota.” është shprehur Brataj.