Vendosni fjalën kyçe....

Skandali në Onkologjik, deputetja e PD thërret në interpelancë Ministren Koçiu: Shërbimi shëndetësor, i paarritshëm


Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se ka thirrur në interpelancë Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu, pas skandalit në Onkologjik dhe mungesës së medikamenteve.

Gjergji thekson se alarmet për problemet në sistemin shëndetësor janë dhënë prej kohësh dhe se këto çështje nuk mund të mbulohen me propagandë. Ajo shton se shërbimi shëndetësor është bërë i paarritshëm për qytetarët dhe thekson se ka mijëra arsye për të protestuar, përfshirë edhe situatën në shëndetësi.

Postimi i plotë: 

Skandali tek Onkologjiku dhe ajo çfarë po ndodh me mungesën e medikamenteve është pasqyra e gjendjes në të cilën ndodhet shëndetësia shqiptare. 

Alarmet për këtë sistem jetik janë dhënë me kohë. Problemet e thella dhe reale nuk mund të mbulohen   nga propaganda e ditës. Ata që kanë hall, që janë çdo ditë në dyert e spitaleve, pacientët dhe familjarët e tyre e dinë të vërtetën. 

Për ta, dhe për interesin publik, kam thirrur në  interpelancë nesër në Kuvend, Ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu. 

Jo llafe boshe, jo strategji PR e marketing. 

Por thjesht dhe shqip: 

Pse mungojnë ilaçet? 

Pse qytetarët në ditët e tyre më të vështira, nuk e kanë shtetin ku kanë kontribuar në krah, por duhet të bëjnë edhe më shumë sakrifica për të shkuar tek privati?

Pse kërkohen fajtorë ngado, kur përgjegjësi është ai që erdhi në pushtet me premtimin: shëndetësia falas? 

Sot shqiptarët janë më të varfër, shërbimi shëndetësor është kthyer në mollë e ndaluar. 

Qytetarët kanë një mijë arsye për të protestuar mes tyre edhe për shërbimin shëndetësor. 

Prandaj do të jemi të gjithë bashkë në 11 korrik, ora 20:00, për të protestuar.