Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputet në disa legjislatura i PS-së Ilir Beqaj është arrestuar nga policia me urdhër të SPAK-ut.
Në pranga kanë rënë dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC dhe Alfred Nikolla.
Avokati i Beqajt ka konfirmuar arrestimin e tij, ndërsa mësohet se operacioni është ekzekutuar nga policia e Tiranës.
NJOFTIMI I SPAK
“Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do te vijojmë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp”, thuhet në një njoftim të shkurtër.
Bëhet me dije se SPAK ka lëshuar 5 masa sigurie, 3 prej tyre ‘arrest me burg’ dhe 2 ‘arrest shtëpie’.
Për çfarë akuzohet Ilir Beqaj
Ish-ministri Beqaj po hetohej nën masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje” për ‘shpërdorim detyre’ lidhur me kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin si dhe për abuzimin me fondet e SASPAC.
Më 18 mars 2024, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, ndërsa iu komunikoi akuzat 8 personave të tjerë të përfshirë, mes tyre ish-zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët ishin arrestuar mëherët.
SPAK i akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.
Kush janë dy personat e tjerë të arrestuar bashkë me ish-ministrin e Shëndetësisë
Në pranga ka rënë dhe bashkëpunëtori i tij, njeriu i besuar Ermal Kurtulaj i cili ka mbajtur dhe postin e koordinatorit të projektit EUSAIR që menaxhohej nga SASPAC dhe Alfred Nikolla.
Dosja e abuzimeve me fondet e BE-së në SASPAC/ Lidhjet e Beqajt me Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla
Kurtulaj është personi kyç në përgjimet e SPAK del duke shpërdoruar detyrën me qëllim përfitimin e parave nga programet e BE. Kurtulaj ishte i punësuar si Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia e drejtuar prej Ilir Beqajt. Më parë ai ka mbajtur funksione të tjera publike në institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ka qenë drejtor në kompaninë e Ilir Beqajt, “INTECH+”.
Ilir Beqaj pranoi njohjen dhe miqësinë e hershme me Kurtulaj. Vartësi i Beqajt dyshohet si personi kyç që bënte pazaret me faturat fiktive për llogari të Ilir Beqajt dhe personi që de fakto administronte restorantin “Gzona”, një biznes nga i cili ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij ishin larguar formalisht në vitin 2020.
Sipas SPAK, personi nën hetim, Ermal Kurtulaj, i punësuar si koordinotator i projektit “Eusair Facility Point” gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprime të kundraligjshme duke u përfshirë në veprime korruptive për qëllime përfitimi.
Në një komunikim telefonik me shtetasin Genci Shurdho, Kurtulaj i ka kërkuar atij të faturojë një pagesë prej 35,200 euro për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer.
“Po më duhet një përgjigje tashi shpejt që ta di se duhet, ikën Iliri (Beqaj) dhe duhet të firmos ca letra prandaj po them”, i thotë Ermal Kurtulaj personit Genci Shurdho në një bisedë të përgjuar.
Prej kësaj bisede thotë SPAK të krijohet dyshimi se fatura do të jetë thjesht fiktive për të justifikuar shpenzimin e shumës 35,200 euro. Por shtetasi Genci Shurdho nuk ka mundur t’ja lëshojë këtë faturë, të cilën Ermal Kurtulaj e ka siguruar në kompaninë “Nine Services Int” Sh.p.k me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin Elton Marini.
Siç rezulton më pas në biseda të tjera të përgjuara gjatë periudhës gusht-shtator 2023, Ermal Kurtulaj i thotë se i duhen edhe fatura të tjera. Në 20 nëntor 2023 është lëshuar një tjetër faturë me vlerë 16,600 euro nga kompania e shtetasit Elton Marini.
Pjesë e skemës sipas dosjes së SPAK është edhe personi fizik Bledar Leka, i cili ka lëshuar një faturë me vlerë 20,000 euro për llogari të “Eusair Facility Point” dhe është kapur në përgjime me vartësin e sekserin e Ilir Beqes, Ermal Kurtulaj.
“Bëje içik atë faturën sot. Do ta çoj niptin me foto dhe te kontrata dhe ca përshkrimesh, si do e shkruajmë etj”, thuhet në një bisedë të përgjuar mes tyre. Po kështu në një tjetër bisedë të përgjuar nga SPAK, Ermal Kurtulaj pyet shtetasin Bledar Leka: “Atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20, e bën dot ti apo jo? … e pastaj hë se duam ta bëjmë 20 që të kena mundësinë për me mbyll ca gjona të tjera me atë meqënëse ti je pa TVSH apo jo?”
Në vijim të bisedave për fatura të tjera fiktive për punime/shërbime të pakryera thotë SPAK, Ermal Kurtulaj i kërkon në nëntor një tjetër faturë shtetasit Bledar Leka. “Ke hapësirë për të bo i gjo nja 900 euro shërbim konsulence pagesë kesh”, pyet Kurtulaj në një tjetër bisedë të përgjuar.
Sekseri Ermal Kurtulaj i cili dyshohet se vepron për llogari të Ilir Beqajt sipas dosjes së SPAK, rezulton edhe si drejtues e i punësuar i një shoqate me emrin “Good Health”, përmes së cilës kryen lëvizje parash për shërbime të pakryera.
Punonjësja e SASPAC, Mira Topçiu, në këtë rast si person fizik, i faturon kolegut të saj në po këtë agjenci, fatura për shërbime konsulence me vlerë disa mijë euro.
Siç rezulton nga veprimet e kryera ndërmjet subjekteve, por edhe në komunikimet që kryhen ndërmjet Mira Topçiut, Bjona Ziaj, Dhurata Thanasi dhe Ermal Kurtulaj, ata kërkojnë sigurimin e faturave me qëllim përfitimin e shumave nga këto subjekte thuhet në dosjen e SPAK. Bëhet fjalë për një event të datës 1 nëntor 2023, ku Mira Topçiu komunikon me Bjona Ziun të cilës i kërkon të lëshojë një faturë.
“Nga personi jot fizik më duhet komplet për cështje pune se spo dime se si do e rregullojmë ngaqë do paguajmë këtë eventin e vizibilitetit nga programi ynë i Kosovës. Hëme duhet një person që të më lëshojë nji faturë. Domethënë nji person që do na bëjë qeranë neve, na ka ca lekë borxh”, thotë Mira Topçiu në bisedën e përgjuar nga SPAK.
Kurtulaj është njohje e vjetër e Ilir Beqajt dhe njeri i besuar i tij, aq sa edhe makina me të cilën Beqaj udhëton figuron në emer të vartësit të tij.
Po kështu sipas përgjimeve rezulton se Ermal Kurtulaj sillet e vepron si administrator i kompanisë që zotëron restorant “Gzona”, ku Beqaj ishte para disa vitesh aksioner bashkë me bashkëshorten e tij e ku vijon të çojë para për dreka e darka përmes agjencisë që drejtonte.
Karriera e Ilir Beqajt
Beqaj ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe ishte ministër i Shëndetësisë nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2021, ai u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi.
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.